Sot, në Ditën e Evropës Tetova vazhdon të jetë një qytet që është ende shumë larg Evropës, vlerëson EccoGuerilla në pres konferencën e mbajtur sot me rastin e 9 Majit, Ditës së Evropës.
Sipas EccoGuerillas, Tetova edhe këtë ditë të Evropës ka kryetare komune e cila mashtron, nuk respekton fjalën dhe nënshkrimin që ka dhënë vet për qytetarët e Tetovës.
“Sot, në Ditën e Evropës, është turp të fshehësh informacionet se si harxhohen paratë e qytetarëve nga Komuna dhe Ndërmarrjet Publike. Edhe pse morri përsipër se do jetë transparente dhe do të publikojë raportin financiar për vitin e kaluar dhe për 10 vitet e kaluara, kjo kryetare vazhdon me avazin e vjetër – me dy faqe bilanci përfundimtar u hedh pluhur syve të qytetarëve. Me këtë papërgjegjësi të skajshme na bën të dyshojmë se ka keqpërdorime serioze.
Sot, në Ditën e Evropës është e papranueshme që qytetarët mos jenë të informuar se sa është borxhi i Komunës, kujt i kemi borxh, në kohën e kujt dhe për çfarë arsye është krijuar ky borxh?”, theksuan nga EccoGuerilla.
Sipas kësaj organizate, e cila me metoda guerile po “lufton” pushtetin, sot në Ditën e Evropës, po të kishim shtet të së drejtës, këta funksionarë do të përgjigjeshin për keqpërdorime të detyrës zyrtare dhe do të përballeshin me gjykatat.
“Në ditën e Evropës vazhdojmë të mashtrohemi kur kryetarja me nënshkrimin e saj më 9 Tetor 2017 mori përsipër se rrugët e lagjeve tona, para shtëpive tona do të pastrohen së paku njëherë në muaj, me ujë.
Sot, në Ditën e Evropës, jetojmë në një qytet ku pluhuri në rrugët e lagjeve tona ende është pjesë e përditshmërisë për fëmijët tanë. Rrugët e qytetit tonë nuk pastrohen si në Evropë, por pastrohen vende vende ende si në shekullin e 19, pa makineri dhe infrastrukturë moderne. Shkaktare për sëmundjet respiratore të fëmijëve është pikërisht pluhuri që ata thithin nga ambienti.
Sot, në Ditën e Evropës, Tetova është qyteti me më pak hapësira të gjelbërta. Edhe ato pak hapësira që kishin mbetur po betonizohen çdo ditë.
Sot, në Ditën e Evropës, policia e trafikut në Tetovë është bashkëfajtore dhe e paaftë për ta zgjidhur kaosin e trafikut në qytet”, thekson EccoGuerilla.
Përfaqësuesit e kësaj organizate nuk kanë harruar të rikujtojnë se Tetova edhe sivjet e “feston” Ditën e Evropës pa transport publik dhe me shumë anomali tjera.
“Sot, në Ditën e Evropës, uzurpimi i hapësirave publike ne Tetovë është bërë zakon i të fortëve me vite. Ne e përshëndetëm nismën e Komunës për çlirimin e hapësirave publike të uzurpuara, dhe e inkurajojmë atë ta vazhdojë këtë operacion me intensitet edhe më të lartë, dhe të mos jetë selektive, posaçërisht në trotuaret e zaptuara që pamundësojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve. Anarkia duhet të marrë fund dhe vendosja e rendit dhe shtetit të së drejtës duhet të jetë pjesë e jetës së përditshme.
Sot, në Ditën e Evropës qytetarët e Tetovës meritojnë të kenë “qytet, me infrastrukturë efikase rrugore, linja të rregullta të transportit publik, parkingje nëntokësore, ambient të pastër jetësor, dhe parqe të gjelbëra që ruhen e mirëmbahen”, thekson EccoGuerilla.