Gjatë këtij viti Komuna e Likovës do të jetë e lidhur e tëra me gypat kryesorë përçues të ujit. Këtë e deklaroi ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Sadulla Duraku, gjatë inspektimit të fillimit të punimeve në fshatin Sllupçan, prej ku gypat përçues kryesor të ujit fillojnë të shpërndahen edhe nëpër vendbanime tjera të Komunës së Likovës.
“Nga buxheti janë ndarë 1,6 milionë euro, për gypin kryesor që duhet të lidhet nga Sllupçani dei në Vaksincë, pjesa tjetër nga sllupçani deri në Opaje dhe pjesa tjetër po ashtu nga Ssllupçani deri në Nagushtak. Çka do të thotë me këtë e përmbyllim gypin kryesor për ujësjellësin për vendbanimet e Komunës së Likovës. Afati i realizimit të këtij projekti është shtatë muaj, kontrata është bërë dhe firma do të punojë”, theksoi Sadulla Duraku, ministër i Mjedisit Jetësor.
Sipas ministrit Sadulla Duraku, sapo të përfundojë vendosja e gypave kryesor, do të fillojnë edhe punimet për rrjetin sekondar të ujit. Ndërsa, kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi, tha se së shpejti do të fillojë edhe ndërtimi i filter stacionit të ujësjellësit, punimet e të cilit do të fillojnë së shpejti. Ky projekt sipas kreut të komunës do të kushtojë rreth 1 milionë e 400 mijë euro.
“Në proces e sipër jemi me Qeverinë, me Bankën Evropiane për Investime, Ministrinë e Transportit ku janë ndarë mjete prej 1 milionë e 80 mijë euro, ku ne si Komunë participojmë afër 400 mijë euro, ku kontrata edhe për filterstacionin është nënshkruar, që do të thotë brenda vitit 2018-2019 filter stacioni duhet të përfundojë, gypi për tërë vendbanimet e Komunën e Likovës duhet të përfundojë, që jemi në proces e sipër edhe përgatitjen e dokumentacionit teknik për rrjetin sekondar në të gjitha fshatrat e Komunës së Likovës”, deklaroi Erkan Arifi, kryetar i Komunës së Likovës.
Kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi tha se gjatë vitit 2018 për sistemin e ujësjellësit në Komunën e Likovës do të investohen rreth 3,5 milionë euro. Ndërsa, deri në përfundimin edhe të rrjetit sekondar, me të cilin uji i pijshëm do të shkojë në çdo shtëpi, investimet do të arrijnë rreth 9 milionë euro. Mefail Ismaili /shenja/