4 May 2018 / 15:59
Enti shtetëror i Revizionit ka shpalosur një sërë parregullsish në punën e Institutit të Shëndetit Publik. Shfrytëzimi i veturave zyrtare për qëllime personale, shfrytëzimi i lëndëve djegëse në llogari të Institutit dhe mos definimi mbi atë se kush dhe sa mund të harxhojë nga buxheti i tij janë vetëm disa nga parregullsitë e konstatuara. Revizioni ka shpalosur se ISHP ka harxhuar 444 mijë denarë nëpër restorante dhe kafene pa sqarime nëse të njejtat janë shfrytëzuar në mënyrë ligjore dhe për nevojat e Institutit. Instituti nuk ka rregullore të qartë se kush dhe për çfarë nevojash mund ti shfrytëzojë veturat zyrtare në mënyrë që të shmangen shpërdorimet.
Enti Shtetëror i Revizionit
“ Nga paraqitjet e faturave, kemi vërtetuar se është kryer mbushje e derivateve të ndryshme të naftës (Dizel dhe Benzin) për të njejtën veturë, me të njejtat targa të regjistrimit e cila sjell në konstatim se janë bërë harxhime të lëndëve djegëse të cilat nuk janë në pronësi të ISHP.
Mungojnë edhe llogaritë që duhet të jepen nga furnizuesit për shkak se nuk ka pasur kushte për kontroll të saktësisë për harxhime të lëndëve djegëse. Dorëzimi i llogarive të udhëtimit nuk ka qenë praktikë e Institutit në mënyrë që të jepet pëlqim për shfrytëzimin e veturave zyrtare dhe shpenzimet e bëra”.
Mjetet e paguara në dorë nga shërbimet e dhëna mjekësore, referenti përgjegjës në Institut i ka paguar tek arkëtari kryesor i Shtëpisë së Shëndetit me vonesë prej 2-3 muajsh, ndërsa mjetet e paguara nga pacientët privat i ka paguar 2-3 herë në vit. Revizioni po ashtu ka konstatuar se një pjesë e dokumentacionit në arkë është e paplotësuar dhe e parregulluar, pa datë si dhe numra të fshirë dhe të korrigjuar.
Vjollca Aliti