Komuna e Çairit ka vendosur dy tualete publike në parkun e Çairit pasi kohëve të fundit kishte shtuar numrin e koshave të mbeturinave. Nga komuna thonë se tualetet janë vendosur me kërkesë të qytetarëve të kësaj lagje, të cilët kohën e lirë e kalojnë në parkun e komunës.
“Në atë lokacion, Komuna e Çairit ka vendosur dy tualete mobile, ndërsa po bëhen plane edhe për shtimin e numrit të tyre në lokacione tjera, varësisht prej nevojës”, njoftojnë nga Komuna.
Pushuesit e parkut të Çairit thonë se nisma për pastrimin dhe mirëmbajtjen e parkut është pozitive dhe kërkojnë nga komuna të bëjë më shumë për parkun e lagjes.
“Tualetet kanë munguar shumë në parkun e Çairit. Udhëheqësit e komunës duhet të zgjidhin edhe problemin e fontanës.”, tha një kalimtar rasti në parkun e Çairit.
“Është mirë, duhet kështu të vazhdoj”, tha një pushues.
“Kjo është turp, merremi me punë që është dashur të kryhen shumë vite më herët”, tha i revoltuar një pushues i moshuar.
“Është mirë, por komuna nuk duhet te ndalet këtu dy tualete nuk mjaftojnë, parku është shumë i frekuentuar”, tha një tjetër pushues.
Parku ka qenë objekt i diskutimeve të qytetarëve dhe mediave nga hapja e tij në kohën e ish kryetarit Izet Mexhiti. Media ka kritikuar administratën e komunës se nuk është kujdesur sa duhet për mirëmbajtjen e pajisjes urbane.
Mevludin Imeri
Almakos.com