Universiteti i Tetovës ka hapur dyert sot për të gjithë maturantët e shkollave të mesme nga qytetet e vendit dhe më gjerë. Në kampusin e Universitetit gjatë ditës së sotme është organizuar “Dita e hapur”, aktivitet ky që organizohet për çdo vit në të cilin prezantohet oferta akademike për studentët e rinj. Me këtë rast qindra maturantë kanë vizituar stendat e fakulteteve ku kanë pasur mundësinë që për së afërmi të njihen me ofertën akademike, programet studimore, risitë dhe mundësitë që ofron Universiteti i Tetovës për studentët e ardhshëm për vitin akademik 2018/2019.
Në kuadër të aktivitetit të “Ditës së Hapur”, në hapësirat e Universitetit të Tetovës është organizuar edhe panairi i industrisë ushqimore në të cilin kanë marrë pjesë kompanitë më të njohura nga vendi ynë të cilat kanë shpalosur ofertën e tyre si dhe kanë promovuar produktet që ata prodhojnë.