Ka filluar gjykimi për rastin “Titanik2” lidhur me manipulimet zgjedhore në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve. Por sapo filloi, gjykatësi Ognen Stavrev u desh që ta anulojë për shkak se prokurorja Fatime Fetai e dorëzoi akuzën e plotësuar të lëndës. Në akuzën e re të cilën e kishte pranuar Këshilli i Gjykatës Penale, më nuk figurojnë gjykatësit administrativ pasi këshilli nuk kishte parë prova të mjaftueshme për ti vendosur në listën e të akuzuarve.
I akuzuari kryesor në këtë proces është lideri i partisë opozitare PDSH, Menduh Thaçi. Pas tij është ish anëtari i propozuar nga PDSH në KSHZ Bedredin Ibraimi. Të akuzuar janë edhe ish shefi i DSK-së Sasho Mijallkov, ish anëtarët e KSHZ-së Sasho Sërcev, Aneta Stefanovska dhe Vllatko Sajkovski. Në fillim të seancës së sotme gjykatësi i pyeti Thaçin dhe Ibrahimin se çfarë gjuhe do të shfrytëzojnë gjatë gjykimit. Thaçi tha se do ta përdorë edhe shqipen, ndërsa Ibrahimi vetëm maqedonishten.
Të gjithë përveç Mijallkovit akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ndërsa Mijallkov do të përgjigjet për pranim të shpërblimit për të ndikuar në vepra të paligjshme.
Pas dy javësh, Menduh Thaçi dhe Sasho Mijallkov do të takohen përsëri në gjykatë pasi më 10 maj është seanca e radhës gjyqësore.
Ky rast doli nga biseda e përgjuar mes ish shefit të DSKsë Sasho Mijallkov dhe kryetarit të PDSH së Menduh Thaçi. Pjesë e listës së provave kundër ish funksionarëve do të jenë dy biseda të përgjuara. Në një prej bisedave dëgjohet Mijallkov duke i kërkuar shërbim kryetarit të PDSH së që të ndikojë tek kryetar i KSHZ së Bedredin Ibraimi që të votojë pro prishjes së një vendvotimi në Strumicë.
Bomba (34) e ish opozitës, bisedë mes Sasho Mijallkovit dhe Menduh Thaçit
Sasho Mijallkov- “Menduh çfarë bën?
Menduh Thaçi- “Ja këtu jam. Po rri me njerëz.
Sasho Mijallkov- “Kam një kërkesë urgjente për ty. A mund të votoni për ne në KSHZ për Strumicën”
Menduh Thaçi- “Në komision?”
Sasho Mijallkov- “Po. Në KSHZ”
Menduh Thaçi- “Mundet. Ja tani vetëm të lajmërohem”
Sasho Mijallkov- “Por duhet menjëherë sepse për pesë minuta fillojmë, e kemi shtyrë pak”
Menduh Thaçi- “Ja ja, menjëherë, do lajmërohem për një minutë dhe do të tregoj”
Dy minuta pas thirrjes së Sasho Mijallkovit, Menduh Thaçi i është paraqitur Bedredin Ibraimit dhe i ka dhënë urdhrin se si të votojë. Ibraimi ka pranuar edhe pse ka qenë i vetëdijshëm se nuk ka asgjë të parregullt në atë ankesë, se nuk ka bazë për rivotim, nuk ka as më shumë ose më pak fletëvotime ose ndonjë parregullsi tjetër. Por shkaku i urdhrit të kryetarit të partisë së tij Menduh Thaçi, ka shfrytëzuar modelin e vendimit të shumicës dhe ka votuar pro ankesës së koalicionit të VMRO DPMNE-së.
Bomba (34) e ish opozitës, bisedë mes Menduh Thaçit dhe Bedredin Ibraimit
Menduh Thaçi- “Tash e keni Strumicën apo?”
Bedredin Ibraimi- “Po bisedojmë për këtë”
Menduh Thaçi- “Do votosh për këto. Që të prishet”
Bedredin Ibraimi- “Për dy minuta”
Menduh Thaçi- “Voto për ti prishur se jemi marrë vesh për Çairin”
Bedredin Ibraimi- “Mirë mirë”
Në akuzë shkruhet se vendimi është marrë me katër vota pro dhe tre kundër, por në asnjë moment nuk është treguar qartë se cilat janë shkeljet që i kanë bërë komisionerët e që kanë shtyrë KSHZ-në të miratojë rivotimin. Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/