Shefat e diplomacisë së Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kocias, do të takohen sërish në fund të këtij muaji, në kuadër të dialogut të vazhdueshëm mes dy ministrave, në kontekst të përpjekjeve për tejkalimin e dallimeve rreth emrit. Ministrat, siç shkruajnë mediat greke, pritet të fluturojnë sërish në Vjenë më 25 prill, për një raund të ri të bisedimeve nën udhëheqje të ndërmjetësuesit të OKB-së, Metju Nimic.
Një ndër temat e bisedimeve, flitet të jetë edhe korniza kohore, për të cilën për herë të parë u fol në takimin e fundit mes dy ministrave në Ohër. Për një takim të tillë në Vjenë nuk janë deklaruar akoma zyrtarisht palët. Zëdhënësi i Qeverisë në vend, Mile Boshnjakovski, tha sot për gazetarët se do të ketë një takim të ri mes ministrave në fund të këtij muaji, por nuk shpalosi datën e mbajtjes së takimit.
MILE BOSHNJAKOVSKI, ZËDHËNËS I QEVERISË
“Deri në fund të muajit do të ketë takim të ri, por data duhet të konfirmohet mes ministrave të Punëve të Jashtme. Akoma jemi optimistë të mëdhenj, siç paralajmëruan edhe kryeministri edhe ministri i Punëve të Jashme të Republikës së Maqedonisë, kërkojmë dhe presim të gjejmë zgjidhje që do të jetë dinjitoze për gjithë qytetarët”.
Ndërkohë, në lidhje me qëndrimin e Ministrisë së Jashtme greke se, edhe përkrah rekomandimit të KE-së për hapjen e negociatave me BE-në, Greqia sërish mund të bllokojë nëse nuk gjindet zgjidhje për emrin, Boshnjakovski tha se muajt e ardhshëm Këshilli i BE-së duhet të deklarohet sa i përket këtij raporti.
MILE BOSHNJAKOVSKI, ZËDHËNËS I QEVERISË
“Në gjashtë muajt e ardhshëm Këshilli duhet të deklarohet, megjithatë gjithçka tjetër në lidhje me negociatat për emrin vazhdon me dinamikën e përcaktuar”.
Periudhën në vazhdim palët do të intensifikojnë negociatat për çështjen e emrit, pasi kanë paralajmëruar një agjendë më dinamike në këtë kontekst. Përveç takimit në fund të këtij muaji, Dimitrov dhe Kocias veç më kanë konfirmuar dy takime të radhës që do të ndodhin në fillim të muajit maj. Më 3 dhe 4 maj ata do të takohen në një konferencë në Selanik, ndërsa një javë më vonë, më 11 dhe 12 maj, dy diplomatët do të realizojnë takim në kuadër të Konferencës për ardhmërinë e Evropës, që do të mbahet në Sunio të Greqisë. Teuta Buçi /SHENJA/