Përfaqësimi i shqiptarëve dhe bashkësive tjera në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Armatë lënë akoma vend për të dëshiruar edhe pse së fundmi gjërat kanë ndryshuar për mirë, thotë zëvendësministri i Mbrojtjes, Bekim Maksuti.
Sipas tij, aktualisht numri i shqiptarëve në nivel të përgjithshëm arrin në 19.%. Numri i ushtarëve shqiptarë është më i lartë për dallim prej viteve të kaluara dhe ka arritur në 22.9%, ndërsa mbetet i ulët edhe më tej numri i oficerëve, tha zëvendësministri Maksuti, duke paralajmëruar edhe hapjen e një konkursi për ushtar profesional.
“Jemi në prag të një konkursi për ushtarë profesionalë, ka një masë të mirë të të gjitha përfaqësuesve të etniteteve të cilat janë paraqitur, shpresoj që ky trend pozitiv të vazhdojë edhe më tutje, sepse shumë shpejt do të hapim edhe konkursin për Akademi Ushtarake dhe më këtë presim që të rinjtë dhe të rejat shqiptare, që kanë kryer shkollën e mesme dhe kanë rezultate të mira, të paraqiten në këto konkurse dhe sigurisht që do t’i kemi parasysh sepse vërtet ne si Ministri e Mbrojtjes me reformat e fundit bëmë çmos që të rinjtë t’i mbajmë në vendin tonë”,-deklaroi zëvendësministri i mbrojtjes, Bekim Maksuti.
Maksuti këtë prononcim e bëri pas ceremonisë së ndarjes së certifikatave për mësimin e gjuhës turke për disa pjesëtarë të ARM-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes në bashkëpunim me Ambasadën e Turqisë. TVM2