Kryetari i Gjykatës Penale, Ivan Xholev theksoi se nuk ka lëshime ligjore në rastin e Fejzi Azirit, që është i akuzuar për rastin “Monstra”.
Aziri që po vuante dënimin për tregti të paligjshme me armë në Burgun e Shtipit nga ana e Ministrisë së Drejtësisë më 28 shkurt ka marrë vendim për ndërprerjen e vuajtjes së dënimit për shkak të sëmundjes. Sipas Xholev, më 21 shkurt, Aziri ka bërë kërkesë për vazhdimin e ndërperjes së vuajtjes së dënimit, por deri në fund të muajit nuk ka pasur përgjigje ndaj kësaj kërkese, dhe se ai më 1 mars duhej të kthehej në burgun e Shtipit.
Procesi gjyqësor për rastin “Monstra” dje u shtye pikërisht për shkak të Azirit që nuk u paraqit në gjykatë, për shkak të trajtimit mjekësor në Klinikën e Pulmologjisë. Por ai mbrëmë është ndaluar nga policia.
(INA)