Babai i Aleksandar Nakevskit, njërit prej djemve të vrarë në Liqenin e Smillkovës, akuzon zyrtarë të BDI-së për lidhje me rastin “Monstra”. Goran Nakevski mori fjalë në gjykatë dhe tha se kryeministri Zoran Zaev u ka treguar transkripte nga biseda të përgjuara në të cilat bisedojnë gjashtë zyrtarë të BDI-së. Nakevski tregoi se Zaevi ua ka treguar vetëm bisedën mes Nevzat Bejtës dhe të akuzuarit Fejzi Aziri, ndërsa identitetin e funksionarëve të tjerë nuk ua ka treguar.
GORAN NAKEVSKI, BABAI I ALEKSANDAR NAKEVSKIT TË VRARË
“Kur shkuam tek Zaevi na tha se do të na japë gjashtë biseda të funksionarëve të BDI-së. Pastaj u bënë pesë. Atëherë e kishte kundërshtare BDI-në dhe thoshte se gjashtë funksionarë të BDI-së janë të përfshirë. Na tregoi transkripte në prani të avokatëve Dafinka Ivanovska dhe Filip Medarski. Ishin edhe baballarët e tjerë të djemve. Për shkaqe politike premtimi i tij nuk u përmbush. Kërkoj të merrni deklaratë nga gjithë prindërit që ishim në atë takim.
Nakevski madje i sugjeroi prokurorisë që të shkojë dhe bastisë selinë e LSDM-së për t’i marrë bisedat e përgjuara, si dhe ta sjellë Zaevin në gjykatë për të konfirmuar pohimet e tij. Babai i Aleksandar Nakevskit është i sigurt se ato materiale të përgjuara, LSDM-ja i shfyrtëzon për shantazhimin e BDI-së.
GORAN NAKEVSKI, BABA I ALEKSANDAR NAKEVSKIT TË VRARË
“Në e dimë se ato materiale për momentin gjenden në LSDM. Kërkojmë ta bastisni selinë e tyre pasi ata tani shantazhojnë me këto materiale. Ne nuk gënjejmë. Le të vijë të ballafaqohemi para juve, mund ta presim sa të dojë. Zaevi manipulon me këtë rast pasi vetura Omega nuk është e Alfave”
Nëna e Aleksandar Nakevskit kërkoi që të përfshihen edhe disa persona të panjohur të cilët janë të pakapshëm për policinë e që dëgjohet të bisedojnë në telefon me të akuzuarin Fejzi Aziri, ndërsa i kërkoi gjykatës që të shqyrtojë përmbajtjen e bisedave të funksionarëve të BDI-së dhe t’i tregojë emrat e funksionarëve që janë të përfshirë.
Por mbrojtja nuk e ka as idenë se ekzistojnë biseda të tilla të përgjuara. Ata vetëm thanë se bisedat ekzistojnë, le të publikohen para opinionit.
NASER RAUFI, AVOKAT
“Kjo lëndë është e mbuluar me masa të veçanta të hetimit. Unë nuk mund t’i komentoj masat e veçanta. Me ligj është e ndaluar që të komentohen. Me Zaevin kemi patur edhe ne kontakte por nuk mund të komentojë se çfarë kemi biseduar”
BEDRI AJDARI, FAMILJAR
“Vëllau im ka qenë shumë i afërt gjatë kohë me BDI-në dhe është normale të ketë patur komunikim. Sa ka lidhje me këtë rast unë jam i dyshimtë. Kushdo që ka ndonjë ndonjë dëshmi, le të urdhërojë dhe ta tregojë para organeve gjyqësore. Lirisht le ta hapin atë telefonatë. Le të dëgjohet se çfarë kanë folur vëllai im dhe Nevzat Bejta!
Avokatja e familjarëve të djemve të vrarë por edhe PSP siguruan se do të bëjnë çmos që ky rast të zbardhet, por jo doemos duke dënuar dikë, por duke gjetur autorët e vërtetë.
DAFINKA IVANOVSKA, AVOKATE E TË DËMTUARVE
“Nuk është qëllimi vetëm të nxirret dikush para organeve të drejtësisë. Duhet të jetë ai person i cili vërtetë e ka kryer krimin”
FATIME FETAI, PROKURORE
“Ju siguroj se PSP do të shfrytëzojë të gjithë burimet njerëzore, materiale dhe teknike për të ardhur deri tek e vërteta”
Prokuroria Speciale e cila sot për herë të parë erdhi si përfaqësuese e akuzës, ishte prezente me tre prokurorët më të eksponuar, Fatime Fetai, Lençe Ristovska dhe Gavrill Bubevski. Edhe pse sot duhej të ishin pastruar gjithë pengesat teknike, dhe duhej të fillojë gjykimi i ri, shkaku se i akuzuari Fejzi Aziri ishte shtrirë në spital nga gjendja e rënduar shëndetësore, seanca u anulua. Por, gjykatësi Ognen Stavrev caktoi dy seanca për në muajin maj, dhe një në muajin qershor. Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/