Presidenti i Komisionit Evropian Zhan Klod Junker i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të nxisë perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor në mënyrë që të shmangen luftërat në këtë rajon. Junker gjatë debatit në Parlamentin…
Presidenti i Komisionit Evropian Zhan Klod Junker i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të nxisë perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor në mënyrë që të shmangen luftërat në këtë rajon. Junker gjatë debatit në Parlamentin Evropian theksoi se kërcënimi nga përsëritja e ngjarjeve tragjike të viteve 90 në rajon mund të evitohet vetëm me integrimin e plotë të Ballkanit në familjen evropiane.
“Në vitin 2003 ne vendosëm t’u japim perspektivë të besueshme evropiane shteteve të Ballkanit Perëndimor. E di që ka vështirësi.. nuk jam naiv, e di që bëhet fjalë për një temë të vështirë, e di që shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të bëjnë përpjekje dhe tregojnë përparim në fusha të caktuara. Por, nëse nuk hapim perspektivën evropiane ndaj këtyre shteteve të këtij rajoni mjaft të komplikuar dhe tragjik..mund të kthehen luftërat si në vitet e 90-ta. Unë nuk dua që lufta të kthehet në Ballkan” – tha Zhan Klod Junker, president i Komisionit Evropian. /Gazeta Express/
Megjithatë për presidentin e Francës Emanuel Makron, Bashkimi Evropian nuk duhet të pranojë anëtare të reja. Sipas tij më parë duhet të reformohet Bashkimi Evropian, ndërsa vendet e Ballkanit edhe pse dëshiron t’i shohë si pjesë e familjes evropiane, sipas tij koha për këtë nuk ka ardhur ende.
“Unë do ta mbështes zgjerimin e Unionit vetëm kur të ketë thellim të integrimit dhe reformave në Evropën tonë” – u shpreh Emanuel Makron, President i Francës.
Presidenti i Francës gjithashtu tha se nuk dëshiron që Ballkani të kthehet nga Rusia apo Turqia por nuk dëshiron as Evropa e cila me shumë vështirësi funksionon tani me 28 anëtare, me të njëjtat rregulla të funksionojë edhe me 30 apo 32 shtete anëtare. E ardhmja e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor pritet të diskutohet edhe më 17 maj në Samitin e Sofjes .