Punimet e filluara për ndërtimin e shkollës fillore “Emin Duraku” nga viti 2016, në fshatin Çajlanë të Komunës së Sarajit, assesi të përfundojnë. Edhe pse objekti është në fazën pëfundimtare, hera e fundit që është punuar në objektin e shkollës ka qenë periudha e zgjedhjeve lokale.
Në komunën e Sarajit druajnë t’i përgjigjen pyetjes së Almakos, se kur do të përfundojnë punimet për ndërtimin e shkollës fillore. Zëdhënësja e komunës, Miranda Ahmeti edhe pas tre ditësh heziton t’i pëgjigjet pyetjes tonë, me arsyetimin se nuk ka biseduar me kryetarin e komunës.
‘’Lidhur me këtë çështje, do ta shoh nëse ka diçka do të ju përgjigjem. Kryetari i komunës nuk është këtu, duhet të bisedoj me atë dhe do të ju përgjigjem,’’ na ka deklaruar zëdhënësja Ahmeti.
Drejtoresha e shkollës, Bukurije Ajvazi, thotë se punimet duhet të përfundojnë deri në shtator të këtij viti, por nga komuna nuk kanë marrë asnjë informatë zyrtare.
‘’Punimet për shkollën në fshatin Çajlanë do të përfundojnë deri në shtator të këtij viti. Kemi infomacione jozyrëtare që është ndarë buxheti, por ende s’kemi asnjë dokument për këtë,’’ thotë Ajvazi.
Këshilltarit i kësaj komune nga rradhët e Lëvizjes Besa, Orhan Murtezani fajin për zhegitjen e ndërtimit të godinës së shkollës në Çajlanë e hedhë te komuna, e cila nuk i përmbush premtimet e dhëna.
‘’Nuk është vetëm problemi me shkollën fillore në fshatin Çajlanë, i njëjti problem është edhe në disa fshatra tjera. Gjatë gjithë cikleve zgjedhore në të kaluarën për të gjithë këto probleme BDI ka premtuar se do i zgjidhë. E vetmja gjë që realizohet me shpejtësi marramendëse është uzurpimi i pronave publike dhe ndërtimet pa asnjë kriter’’, deklaroi Murtezani.
Ndryshe shkollën fillore Emin Duraku në Fshatin Çajlanë komuna ka filluar ta ndërtojë në vitin 2016. Fshatarët thonë se shkolla po ndërtohet me para private dhe donacione nga njerëz të vullnetit të mirë, të cilët dëshirojnë të mbeten anonim. Edhe pse vitin e kaluar në muajin shtator nxënësit duhej të fillojnë mësimet në objektin e ri, një gjë e tillë nuk ndodhi, sepse punimet zhvillohen me rritëm të ngadalësuar.
Arbnora Memeti
Alamkos