Kryetari i organizatës IHH nga Turqia, Osman Atalay thotë se viteve të fundit në përmasa botërore varshmëria e rinisë ndaj drogës po përhapet si virus, për të cilën shtetet e zhvilluara shpenzojnë shumë para për ta luftuar këtë dukuri negative.
Atalay në tribunën e sotme në Shkup, të organizuar në bashkëpunim me Unionin e Studentëve Shqiptar dhe të Lidhjes së Nxënësve Shqiptar, tha se anketat me personat e varur tregojnë se pjesa dërmuese e tyre kanë ardhur në kontakt me drogën përmes shoqërisë së keqe, ndërsa pjesa tjetër konsumimin e drogës e kanë nisur nga kurioziteti.
“Konsumimin e drogës 15 përqind e të anketuarve e kanë nisur për shkak të problemeve fizike, psiqike dhe vetëm 8 përqind pohojnë se kanë filluar përdorimin e lëndëve narkotike si pasojë e trashëgimisë, ose problemeve socio ekonomike”, theksoi Atalay.
Ai tha se gjatë vitit 2016 trafikantët e drogës kanë fituar mbi 1.3 trilion euro, të cilat keqpërdoren nga organizatat terroriste.
“Vendet ku prodhohen këto lëndë janë, Afganistani, Irani, Pakistani. Turqia dhe Ballkani atyre u shërbejnë si urë lidhëse për transportin e të njëjtës në Evropë. Turqia dhe Ballkani ballafaqohen me këtë rrezik, ndikimin e të njëjtave në shoqëritë tona ”,shtoi ai.
Profesoresha Elvira Destani tha se më të prekur nga droga janë fëmijët e moshës 14 deri 18 vjeç, sepse në këtë moshë lindë një ndjenjë te rinia se nuk janë të kuptuar nga askush.
“Nga kjo ata lidhen me përdorimin e lëndëve narkotike sepse humbin shpresat dhe vetveten. Të mos përdorësh medikamente, do të thotë ta duash vetveten. Shkupi ka shumë problem por ka edhe shpresë”, porositi Destani.
Ajo këshilloi të rinjtë që përveç drogës, duhet të heqin dorë edhe nga lojërat e fatit, ku njerëzit humbin paratë e tyre.
Në këtë tribunë u promovua edhe libri “Droga, fundi I lirisë”, i përkthyer në gjuhën Shqipe.
Mevludin Imeri
Almakos