Tregtarët ilegal në Bit Pazar nuk respektojnë ultimatumin e qytetit të Shkupit dhe të komunës Çair dhe nuk i kanë larguar tezgat e tyre nga trotuaret duke penguar lëvizjen e këmbësorëve dhe çiklistëve. Tregtarët vazhdojnë të tregtojnë mallrat e tyre në trotuare, sepse nuk ju pëlqen zgjidhja e ofruar nga kryeqyteti dhe komuna. Autoritetet u kanë ofruar mundësi të marrin tezga me qira me çmime të volitshme brenda Bit pazarit, por këtë mundësi e kanë refuzuar.
Një tregtar për Almakos thotë se kanë marrvëshje me kryetarët e qytetit dhe të komunës që të largohen nga trotuarët e Bit Pazarit, atëherë kur do të ndërtohet tregu i ri.
“Janë marrë vesh, kur të ndërtohet pazari pastaj tregtarët të transferohen brenda. Deri sa të rregullohet do qëndrojmë këtu”, tha një shitës për Almakos.
Shitësit tjerë të frikësuar se mund të kenë pasoja në punën e tyre, nuk pranojnë të flasin para kamerës, por pohojnë se nuk kanë marrë pjesë në takimin e organzuar nga kryetarët Shilegov dhe Ganiu, ndërsa për marrëveshjen e arritur janë njoftuar nga shitësit tjerë.
Zëdhënësi i qytetit të Shkupit, Valon Salihu konfirmon se tregtarët ilegal nuk e kanë respektuar ultimatumin, por megjithatë thotë se në takimin e fundit palët kanë arritur të përafrojnë qëndrimet.
“Duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me një pjesë më të prekur ekonomikisht të qytetarëve po mundohemi që të arrijmë një marrëveshje ku asnjëri prej këtyre qytetarëve nuk do të jetë i dëmtuar”, shtoi Salihu (sinkron)
Qytetarët e anketuar nga Almakos janë të ndarë lidhur me kërkesën e autoriteteve komunale për zhvendosjen e shitësve ilegal.
“Nuk kanë çka bëjnë, fëmijët duhet të jetojnë ata e kanë për një kafshat buke” tha një qytetar.
“Jo, jo asesi le të jetojnë njerëzit. Ajo nuk është e bukur, le tju gjejn vend për ti vendosur edhe ata nuk kanë dal këtu nga qefi, por nga halli, për një kafshat buke”, tha një tjetër qytetar.
“Duhet të hiqen, por nuk kemi kujt t’i themi, organet duhet të gjejnë zgjidhje”, u shpreh një blerës.
“Duhet zgjidhje se ata ku do të shesin, nëse ka vend le ti fusin brenda nëse jo duhet tu gjindet një zgjidhje”, tha një tjetër qytetare që frekuentonte në Bit Pazar.
Tregtarët që punojnë brenda tregut të Bit Pazarit janë të zhgënjyer me sjelljen e autoriteteve, të cilat nuk janë në gjendje t’i mbrojnë ata nga konkurenca jolojale. Sipas tyre, nëse nuk vihet rend, ato do të detyrohen të mbyllin tezgat për shkak të konkurencës jolojale, sepse nuk arrijnë të mbulojnë harxhimet.
Përgatiti: Mevludin Imeri
ALMAKOS.COM