Prokuroria Publike e Maqedonisë nuk bashkëpunon me zyrën e Avokatit të Popullit. Pavarësisht detyrimit ligjor, siç thuhet në Raportin e Avokatit të Popullit, ankesat për punën e Prokurorive nuk mundet të shqyrtohen në mënyrë të mirëfilltë për shkak të zvarritjes së procedurave nga këto organe të rëndësishme për sundimin e ligjit në vend.
Sipas të dhënave të publikuara në Raportin e fundit të Ombudsmanit, Prokuroria Publike në vend të sigurimit të të gjitha provave apo informacioneve, përkundër nivelit të besueshmërisë, gjegjësisht krijimit të kushteve për zhvillimin e procedurave, ata dorëzojnë përgjigje formale.
“Të gjitha prokuroritë në vend, pa asnjë përjashtim, ndaj të gjitha kërkesave tona për ankesat që i kemi pranuar, na japin përgjigje jo të plotë dhe skajshmërish të papërshtatshme. Në të shumtën e rasteve, përgjigjet e tyre janë ‘në bazë të padisë penale ende po veprohet dhe se pas mbledhjes së të gjitha dëshmive, do të miratohet vendim i duhur nga Prokuroria’. Nga këto përgjigje aspak nuk mund të vërtetohet si, kur, kush dhe çfarë veprime individuale ka ndërmarrë, duke filluar nga dita e parashtrimit të kallëzimit penal. Njëkohësisht, nuk mund të vërtetohet karakteri i arsyeve, (objektive apo subjektive) se pse ende nuk është miratuar një vendim prokuroria”, thuhet në raportin e fundit të Avokatit të Popullit.
Me këtë qëndrim indiferent, jo profesional dhe të pjesërishëm të Prokurorisë Publike, krahas zyrës së Avokatit të Popullit, një kohë të gjatë përballen edhe mediat. Vonimi i përgjigjeve, mos përgjigja në kohë, arsyetime të palogjikshme e kështu me radhë, paraqesin vetëm një pjesë të përvojës së hidhur të cilët shumë gazetarë e kanë përjetuar në raport me Prokurorinë Publike të Maqedonisë. Fatkeqësisht, një praktike e tillë vazhdon të zbatohet përkundër paralajmërimeve se me zgjedhjen e kryeprokurorit të ri Lubomir Jovevski, transparenca dhe bashkëpunimi me mediat dhe organizatat joqeveritare do të jetë në një nivel më të lartë.
Zyra e Avokatit të Popullit, në raportin e fundit të punës i ka rekomanduar Prokurorive të vendit që në të ardhmen të rrisin nivelin e bashkëpunimit me Ombudsmanin dhe të njëjtit t’ia sigurojnë të gjitha dëshmitë, të dhënat dhe informacionet, pavarësisht shkallës së besueshmërisë, respektivisht krijimin e mundësive për zhvillim të mirëfilltë të procedurave.
Për dallim nga vitet e mëhershme, në raportin e vitit 2017 të publikuar nga Ombudsmani, thuhet se numri më i madh i ankesave (pothuajse se gjysma) lidhet me mbrojtjen e lirive të qytetarëve në procedura për përmbarim, të cilat zhvillohet nga përmbaruesit.
Në rubrikën e jurisprudencës, Ombudsmani e ka konfirmuar një dukuri shqetësues të cilën shumë avokatë vazhdimisht e përmendin e që lidhet me anulimin e shpeshtë të seancave gjyqësore dhe mos respektimin e parimit të “gjykimit në afat të duhur”.
Duke i numëruar shkaqet më të shpeshta të cilët ndikojnë në prolongimin e seancave gjyqësore, Avokati i Popullit thekson se ato vijnë si pasojë arsyeve objektive dhe atyre subjektive. “Konkretisht, prolongimi i seancave gjyqësore bëhet për shkak të ndërrimeve të shpeshta të gjykatësve. Anulimet e seancave dhe të shqyrtimeve kryesore po ashtu janë bërë për shkak të mungesës së kushteve për vazhdimin e tyre, tejkalimi i detyrës zyrtare me mos veprimin në kohë të funksionit gjykatë dhe lejimin e keqpërdorimit të të drejtave, për të cilët palët dhe të autorizuarit e tyre i kanë”, thuhet në raportin e Avokatit të Popullit.
Arsye shtesor se pse gjyqësori kësaj radhe është renditur në maje të ankesave në zyrën e Avokatit të Popullit, janë edhe veprimet joprofesionale të administratës së gjyqësorit, të cilës siç thotë Ombudsmani, shpeshherë i shkelin dispozitat e Rregullores së gjykatave për administratorët.
Me qëllim që në të ardhmen këto lëshime të mos përsëriten, Ombudsmani ka rekomanduar hetime të plota dhe vërtetim të përgjegjësisë individuale për mos respektim të parimit “gjykim në afat të duhur”, shkelje këto të cilat burojnë nga mos veprimet profesional dhe jo të ndërgjegjshëm të funksionarëve në sistemin e gjyqësorit.