Këto gropa gjenden nëpër lagjet e Komunës së Çairit.
Edhe pse rrugët kryesore kanë filluar të asfaltohen më herët, rrugicat mbetën përplot me gropa. Nga Komuna thonë se prej nesër do të fillojë arnimi i tyre, por qytetarët janë skeptik. Ata thonë se është dashur të ndërmerret diçka më herët, dhe nuk besojnë se arnimi i rrugëve do të ndodh shpejt.
“Komuna e Çairit ka premtuar edhe shumë herë tjera, megjithatë.. gropat duhet të mbushen, këtë nuk duhet tua thotë dikush, njerëz kalojnë këtu si dhe vetë përfaqësues të komunës, i shohin gropat dhe thonë se do të bëhet por gropat ende janë gropa. Kaloni prap pas tre ditëve këtu dhe do t’u tregoj unë se a do të vijnë apo jo.”
“Jo, nuk besoj. Vetëm qeveria ndërrohet, gropat mbesin”.
“Prej nesër vështirë se do të bëhet. Vetëm për rrugën kryesore u duhej gjashtë muaj. Katastrofë janë rrugicat nëpër lagje. Kaq kam për të thënë, po i shkatërrojmë automjetet në këto rrugë”, thanë disa qytetarë.
Zëdhënësi i komunës së Çairit Kushtrim Alla, thotë se punimet për arnimin e gropave do të nisin nga dita e nesërme.
“Siç po e shihni i njejti proces tash veç më ka filluar dhe po bëhet asfaltimi i rrugëve kryesore, por njëherit është paralajmëruar që nga dita e nesërme do të fillojë edhe arnimi i gropave në të gjitha rrugët sekondare në kompetencë të Komunës së Çairit”, tha Kushtrim Alla, zëdhënës i Komunës së Çairit.
Ai gjithashtu tha se me krijimin e kushteve klimatike dhe të gjitha predispozitave teknike, me kërkesë të komunës së Çairit ka filluar asfaltimi i rrugëve kryesore që bien nën kompetencë të Qytetit të Shkupit. Sa i përket kualitetit të asfaltit në rrugën “Brigada e Dytë Maqedonase”, Alla tha se mirëmbajtja e rrugës gjatë dimrit ka dëmtuar asfaltin në disa pjesë, ndërsa për këtë komuna do të bëjë kërkesë deri tek Qyteti i Shkupit që e njëjta të rishtrohet përsëri. 0788
Nga Qyteti i Shkupit thonë se projekti i kësaj rrugë është i trashëguar, ndërsa do të ndërmerren masat e nevojshme për sanimin e gropave.
“Projekti i rrugës “Brigada e Dytë Maqedonase” është projekt i cili është i trashëguar dhe kemi informata se ajo rrugë nuk është e asfaltuar si duhet. Pjesët që duhet sanuar do të sanohen nga ana jonë, mirëpo e domosdoshme është të bëhet analizë e asaj që është punuar deri më tani në atë rrugë”, thanë nga Qyteti i Shkupit.
Komuna e Çairit për arnimin e gropave ka ndarë 40 milionë denarë, ndërsa rrugicat që nuk mund të riparohen do të bëhet asfaltim i tërësishëm. Ndryshe, asfaltimi i rrugëve kryesore në Çair sipas Qytetit të Shkupit do të përfundojë për 2 ose 3 ditë.