LSDM dhe BDI janë duke zhvilluar “luftë” të heshtur për postin e Guvernatorit të Bankës Popullore të Maqedonisë, kurse fituesin ka gjasë ta përcaktojë “presidenti jolegjitim”, Gjorge Ivanov.
Ish nënkryetari i LSDM-së, Zoran Jovanovski dhe këshilltari për financa i kryeministrit Zoran Zaev janë kandidatët për të cilët socialdemokratët do të tentojnë ta bindin presidentin Gjorge Ivanov të propozojë njërin prej tyre për postin e guvernatorit të Bankës Popullore të Maqedonisë, deri sa kandidat i BDI-së është Fatmir Besimi.
Nga kabineti i Ivanovit kanë njoftuar se raportet e tensionuara mes tij dhe qeverisë nuk do ta prolongojnë zgjedhjen e guvernatorit të ri.
“Presidenti Ivanov njësoj sikurse deri tani, poashtu edhe në të ardhmen, do të udhëhiqet ekskluzivisht nga kualiteti dhe profesionalizmi i personit që propozohet, me qëllim që Republika e Maqedonisë të ketë guvernator i cili me përgjegjësi të madhe do ta ushtrojë këtë funksion shumë të rëndësishëm në shtet gjatë kohëzgjatjes së mandatit të tij”, mësohet të jetë thënë nga kabineti i presidentit.
Në qarqe partiake spekulohet se BDI insiston që kësaj radhe guvernatori të jetë nga radhët e saj, kurse për ta kandidati më i mirë është Fatmir Besimi i cili deri tani dy herë ka qenë zëvendës guvernator, kurse tani është këshilltar i kryeministrit Zaev.
Ivanov ka të drejtë të propozojë kandidat sipas përzgjedhjes së tij, por për këtë duhet të sigurojë përkrahje nga shumica në Kuvend. /albeu.com/