Për të njohur më nga afër edhe administratën me këto ndryshime, nga kjo ministri kanë filluar takimet me krerët e komunave. Sekretari shtetëror i Ministrisë së Shoqërisë Informatike, Jahi Jahiu, është takuar me autoritetet lokale në Dibër.
“Ne si ministri jemi shumë të interesuar në radhë të parë që ky proces në fushën e reformave të administratës të funksionojë mirë, sepse është në dobi të qytetarëve dhe prandaj jemi të gatshëm dhe kemi shprehur gatishmëri që gjithandej ku është nevoja, ku ka nevojë për konsultime, ku ka nevojë për përkrahjen tonë, për informim, që duhet ato hapa, së bashku me pushtetin lokal, që t’i ndërmarrim në të ardhmen. Do të jemi në mesin e atyre që ne vërtet mendojnë se një konsultim dhe një përkrahje do t’i ndihmojë që këta reforma të gjejnë zbatim më të mirë në praktikë”,- tha sekretari shtetëror i Ministrisë së Shoqërisë Informatike, Jahi Jahiu.
Kryetari i komunës së Dibrës, Ruzhdi Lata, shtoi se komunat kanë nevojë më shumë për informim të proceseve të Administratës Publike. Por shton se komunat e dinë më mirë se çfarë profesionistësh i duhen administratës së tyre, prandaj kërkon të ndalet praktika e punësimeve me “urdhër nga lart”.
“Ne jemi në një fazë që të punësojmë ata persona që një kohë të gjatë kanë ndenjtë në shtëpi, por e kanë statusin e administratorit, të cilët deri diku i kemi sistemuar dhe veç tyre, mundësitë e punësimit, hapjen e konkurseve, sidomos në degët e ministrive që funksionojnë në Dibër. Fatkeqësisht, nuk shohim ndonjë konkurs të paraqitet për punësimet që bëhen nga ministritë, por gjithmonë bëhen punësime me urdhër nga lartë”,- theksoi kryetari i komunës së Dibrës, Ruzhdi Lata.
Lata tha se është momenti që administratorët e rinj të punësohen në mënyrë ligjore dhe duke përzgjedhur profesionistët më të mirë, në mënyrë që edhe Dibra të avancojë si qytet, si shoqëri dhe si administratë. /TVM2/