Sot papritur ndërroi jetë veprimtari dhe gazetari i mirënjohur Mehmet Latifi. Ai ishte një nga penat e shquara të gazetarisë, ndërsa që nga themelimi i agjencisë së lajmeve INA ishte një nga gazetarët dhe bashkëpunëtorët e rregullt, me shkrimet e tij të dalluara për realitetin dhe përditshmërinë tonë. Ai deri në momentet e fundit të ushtrimit të profesionit nuk u ndal duke qenë një reporter, analist dhe publicist i dalluar me shkrimet e tij. Përmes këtij shkrimi shprehim edhe telegramin e ngushëllimit:
Mehmeti Latifi do të përkujtohet gjithnjë si një profesor frymëzues për breza të tërë të gazetarëve shqiptarë në Maqedoni, Kosovë dhe më gjerë, për punën dhe kontributin e madh në fushën e gazetarisë.
Mehmet Latifi ndërroi jetë në moshë 69 vjeçare, i njohur si doajeni i gazetarisë strugane. Gjatë karrierës së tij të pasur gazetareske, Latifi ka punuar si korrespodent nga Struga i disa mediumeve të njohura, por vite me radhë i agjencisë së lajmeve INA. Ai kishte shkruar për komunitetin arbnesh në Zarër të Kroacisë, kurse ishte edhe mik i afërt me albanologun e njohur Aleksandar Stipçeviq.
Mehmet Latifi kishte lindur në Preshevë në vitin 1949, kurse tërë karrierën e tij gazetareske e ngriti dhe e kaloi në Strugë.
Vdekja e tij paraqet humbje të madhe për gazetarinë shqiptare në Maqedoni.