Jane Çento, një nga të akuzuarit për dhunën e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë, sot është arrestuar në shtëpinë e tij në Prilep, ku kryente masën e paraburgimit shtëpiak dhe është dërguar në Burgun e Shutkës.
Nga Gjykata Penale konfirmojnë se Jane Çentos i është ndërruar masa nga “paraburgim shtëpiak” në “paraburgim” në burgun e Shutkës, pas marrjes së njoftimit nga MPB se i dyshuari nuk e respektonte burgun shtëpiak.
Çento edhe më herët ka qenë i paraburgosur në Shutkë, por vendimi për paraburgim iu ndërrua me paraburgim shtëpiak nga gjykata e Apelit, e cila si masë mbrojtëse urdhëroi që Çentos t’i merrej pasaporta.