Me qëllim që gazetarët, por edhe studentët të informohen më shumë rreth ballafaqimit me të kaluarën, Instituti për Mbështetje të Mediave-MSI në bashkëpunim me Shoqatën për zhvillim të dialogut ndëretnik- ETNITETI, financuar nga Fondacioni për shoqëri të hapur Maqedoni, organizuan trajnim dy ditor ( 30, 31 mars) në qytetin e Strugës,
Ditën e parë të tajnimit më shumë se 15 pjesmarrës, përfshirë këtu trajnues, gazetarë dhe studentë do të shpalosnin tre momente të rëndësishme nga jeta e tyre, etap kjo e cila i ndihmoi pjesmarrësit të njihen më mirë me njëri-tjetrin. Në fund të kësaj pjese të trajnimit u arrit përfundimi se çdo individ apo shoqëri e cila mbetet peng i të kaluarës, nuk mund të përqëndrohet në të ardhmen, por kur të kaluarën e pranon me anët pozitive dhe negative të saj, atëherë je i gatshëm që eksperiencat e tua t’i përcjellësh si mësim dhe kontribut për një shoqëri më funksionale.
Të pranosh dhe të jesh i pranuar, të jesh objektiv në atë që shkruan, të trajtosh tjetrin si qënie njerëzore, pa dallim feje apo nacionaliteti, përgjithësisht rreth këtyre temave, pjesmarrësit, të ndarë në 4 grupe do të realizonin shkrimet e tyre, raporton Almakos.
Temat, prezantimi i të cilave u bë në ditën e dytë të trajnimit, përcillnin të njëjtin mesazh të rëndësishëm që lidhej me ballafaqimin me të kaluarën: Etninetet në Maqedoni jetojnë krah njëri-tjetrit, por jo me njëri- tjetrin.
Për organizatorët, trajnuesit dhe gazetarët, me rëndësi të veçantë ishte që ky trajnim të mbetej si një eksperiencë e dobishme dhe që ndikon në shtimin e dijes tek studentët.
Në përfundim të trajnimit këto ishin disa nga përshtypjet e tyre:
“ Mund të them se ky trajnim ishte një nga eksperiencat më të mira. Më vlen fakti që në këtë trajnim njoha gazetarë nga media të ndryshme, nga të cilët mësova shumë. I falenderoj për mbështetjen që më dhanë. Shpresoj se do të ketë gjithmonë trajnime që janë në dobi të profesionit tonë”- tha studentja e gazetarisë, Resmije Zharku, nga Kaçaniku.
“ Tema që kishin përzgjedhur për të trajtuar më mundësoi të kuptoj shumëçka për gazetarinë. Ajo që më la më shumë përshtypje ishte interaktiviteti dhe fakti që të gjithë ishim nga i njëjti profesion. Mesazhi që mora ishte që nëse ke vullnet dhe pasion mund të arrish atje ku synon, pavarësisht rrethanave,”- tha studentja e gazetarisë, Hafsa Alili, nga qyteti i Gostivarit.
Gazetarja maqedonase Iskra Opetçeska, e cila tashmë vite të tëra ushtron profesionin e gazetarisë, tha se “ Ballafaqimi me të kaluarën” është temë me një rëndësi të veçantë, sepse asnjë popull nuk mund të ec pwrpara nëse nuk i ka mësuar leksionet nga gabimet e të kaluarës.
“ Që njeriu të përballet me të kaluarën, jo vetëm që nuk është e lehtë, por është punë jashtëzakonisht e vështirë. Kjo posaçërisht në Maqedoni, e cila që nga pavarësimi i saj vazhdimisht përballet me kriza, konflikte, rreziqe, por edhe luftë. Çdo gjeneratë përballet me sfidat e veta, megjithatë të gjithë ne duhet të mësohemi të jetojmë me sfidate e së tashmës dhe mësimet e të kaluarës, në mënyrë që të kemi një të ardhme më të mirë”- tha Opetçeska.
Në fund vlerësimin e tyre e dhanë edhe ata të cilët me profesionalizaëm maksimal menaxhuan punën gjatë trajnimit dy ditor, trajnuesit Nora Maliqi dhe Benjamin Arifi.
“ Jam e kënaqur nga përkushtimi që dha çdonjëri gjatë këtij trajnimi. Me pëlqeu shumë pjesa e parë e trajnimit ku çdo njëri do të shpaloste tre momente me rëndësi nga jeta e tij, sepse kjo bëri që pjesmarrësit të ndiheshin më të familjarizuar me njëri tjetrin, dhe studentët me gazetarët, por edhe gazetarët me trajnuesit. Koha ishte e shkurtër, por të gjitha temat e realizuar nga të 4 grupet e formuara, ishin pothuajse profesionalisht tw kompletuara. Shpresoj të kemi gjithmonë trajnime të sukseshme”- tha trrajnuesja Nora Maliqi, përcjell Almakos.
“Trajnimet e tilla në përgjithësi janë eksperiencë e veçantë që plotësojnë secilin prej nesh në aspektin profesional. Shkëmbimi i përvojave dhe socializimi mes gazetarëve, aktivistë të shoqërisë civile dhe studentëve, ndihmon në shtimin e perspektivave dhe njohjen e sfidave të këtyre profileve që në rrugë dhe metoda të ndryshme punojnë për të njëjtat vlera, përmirësimin e shoqërisë dhe luftimin e dukurive negative brenda saj. Në kohën kur arsimi në vend, në të gjitha nivelet po përballet me sfida serioze, puna e OJQ-ve me seminare, trajnime dhe arsimim joformal bëhet edhe më e vlefshme”- tha trajnuesi, Benjamin Arifi.
Realizimi i trajnimit në qytetin e Strugës në një ambient jashtëzakonisht mikpritës nga stafi i vilës“ Enhalon”, bëri që gjithçka të realizohej në një atmoferë me pozitivitet maksimal.
Përgatiti: Evi Shkopi
Almakos.com