Keqësimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Turqisë, nuk është interes i kosovarëve dhe turqve. Ka njëqind e një arsye që kosovarët dhe turqit të kenë marrëdhënie të afërta e miqësore. Prandaj krerët e të dy vendeve duhet menjëherë të ndërprejnë retorikën e ashpër, të ulin gjakrat dhe të gjejnë mënyrë për normalizimin e raporteve. Nga përshkallëzimi i situatës humbin të dy palët dhe do të përfitojnë vetëm ata që nuk ua duan të mirën as Turqisë dhe as Kosovës. E ata nuk janë të paktë në rajonin e Ballkanit.
Shqiptarët dhe turqit kanë shumë gjera të përbashkëta si popuj, por kuptohet se edhe dallohen. Të dy popujt jemi shumë gjaknxehtë dhe jo rrallë herë reagojmë fort me emocione ndaj gjërave që na shqetësojnë, pa mos bërë analizën e thellë të çështjeve. Kësaj radhe është koha ta jemi më të arsyeshëm. Në rend të parë t’i vemë gjërat që na afrojnë, e jo ato që na ndajnë.
Krizat në raportet shqiptaro-turke, kohë pas kohe, janë rezultat i një keqkuptimi të madhë. Ne si dy kombe duhet të sqarohemi për çështjen që na shqetësojnë. Duhet të mësojmë të mirëkuptohemi. Ne nuk do t’i tejkalojmë këto mosmarrëveshje nëse nuk dëgjojmë me kujdes shqetësimet e njeri-tjetrit. Këtij keqkuptimi i ka kontribuar edhe mungesa e një elite të përgjegjshme shqiptare, e cila edhe në raportet me shtetet tjera asnjëherë nuk është udhëhequr nga interesat e kombit dhe të shtetit, por nga interesat individuale dhe grupore, të cilat në esencë gjithnjë kanë qenë me karakter korruptiv. Dhe për këtë hendikep neve shqiptarëve nuk na kanë faj turqit.
Keqkuptimi i dytë është mënyra se si është trajtuar rasti i ekstradimit të gjylenistëve, të cilët Turqia i dyshon për pjesëmarrje në grushtet. Ndieshmërinë e shqiptarëve për ekstradimin apo mosekstradimin e gjylenistëve, turqit nuk duhet ta shikojnë si akt miqësie apo armiqësie ndaj tyre, por si çështje e kodit etik të shqiptarëve. Shtyllat e këtij morali etnik, të cilin turqit e njohin shumë mirë se ne, është Besa dhe Mikëpritja. Shqiptarët janë ndër kombet e rralla në botë që kultivojnë traditën se shtëpia është e Zotit dhe mikut.
Shqiptarët dhe kosovarët e trajtojnë si ligësi të dëbosh një hallexhi nga shtëpia pasi t’ia kesh hapur derën. Dhe ky raport zbatohet pa përjashtim, qoftë ai i fajshëm apo i pafajshëm. Derisa ai është nën klumin e një shtëpie shqiptare, ai duhet të mbrohet. Nëse nuk është kështu, atëherë kjo ve në pikëpyetje nderin e të zotit të shtëpisë. Përveç kësaj Kosova si shtet i ri, pa një karige në Kombet e Bashkuara, duhet të jetë shumë e kujdesshme ndaj obligimeve ndërkombëtare.
Qeveria kuislinge shqiptare gjatë okupimit nacist, e udhëhequr nga ky kod kanonik nuk dorëzoi asnjë hebre te autoritetet gjermane, por i strehoi në shtëpitë e veta duke vënë në rrezik edhe jetët e tyre. Dikush këtë vetëflijim të shqiptarëve për të shpëtuar jetë njërëzish mund ta quajë naiv, por ne besojmë në këtë vlerë. S’ka gjë më të shënjtë në botë se sa të shpëtosh jetët e krijesave më të bukura të Zotit.
Një fakt tjetër shumë i rëndësishëm, shkarkimi i ministrit të brendshëm të Kosovës dhe të shefit të shërbimit intelegjentë nuk ka lidhje me Turqinë, por ka të bëjë me raportet në qeverinë e Haradinajt. Ekstradimi i turqëve e mbushi kupën në lojrat politike mes Haradinajt dhe kryetarit Hashim Thaçi, i cili përmes instalimeve të tij në eksekutiv anashkalojë kryeministrinë për skenarin lidhur me arrestimin e Gjuriçit dhe të esktradimit të turqëve. Edhe Erdogani do të reagonte njësoj sikur Haradinaj nëse ministri i brendshëm dhe shefi i intelegjencës, vendime të rëndësishme i merrnin pa informuar kryeministrin.
Keqkuptimi i tretë në raportet shqiptaro-turke është leximi i gabuar i historisë. Është fakt historik që shqiptarët e turqit kanë luftuar kundër njëri tjetrit, por më shumë kanë luftuar bashkë kundër palëve të treta. Fillimi dhe mbarimi i perandorisë osmane për arsye të kuptueshme i ka vënë shqiptarët kundër osmanëve, ndërsa periudha e ndërmjetme ka qenë një periudhë e bashkëpunimit. Turqit më mirë se ne shqiptarët e dinë kontributin e ushtarakëve dhe burrështetasve osman me origjinë shqiptare në zgjerimin dhe zhvillimin e Perandorisë osmane.
Në qendër të këtij keqkuptimi historik është trajtimi i figurës heroike të shqiptarëve Gjergj Kastriotit Skenderbeut. Shqiptarët e fillimshekullit nuk e rizbuluan Skenderbeun vetëm për të zguar vetëdijën kombëtare dhe për kushtrimin për liri kundër Perandorisë osmane, e cila po largohej nga Ballkani, por para së gjithash e përdorën atë për të sfiduar politikat grabitqare të fqinjëve, siç ishte megalo ideja greke dhe Naçrtanija serbe. Kërcënimi ndaj tokave shqiptare nuk vinte nga Stambolli, por nga politikat shoviniste greke dhe serbe. Kur shqiptarët himnizojnë Skenderbeun nuk e bëjnë këtë për të provokuar turqit dhe Turqinë, por për të mbrojtur interesat e tyre kombëtare karshi fqinjëve grabitqarë, të cilët në naracionin e tyre fashist, shqiptarët ende i trajtojnë si komb pa identitet të qartë dhe si mbetje të otomanizmit. Thjeshtë, Skenderbeu është simboli i mëvetësisë kombëtare të shqiptarëve karshi fqinjëve.
Keqkuptimi i katërt në raportet shqiptaro-turke është trajtimi i fesë në politikë. Është çështje e krerëve të Turqisë që përdorin naracion fetar në politikë. Pse e bëjnë këtë turqit është punë e tyre. Nëse kjo politikë i kuvenon politikës turke, ne shqiptarët duhet ta respektojmë. Por, njëkohësisht duhet të paralajmërojmë miqtë tanë se kjo praktikë nuk mund të zbatohet në rrethanat shqiptare sepse prek interesat dhe bashkimin shqiptar. Nëse turqit 99.9 për qind janë mysliman, të shqiptarët situata është ndryshe. Edhepse shumica e shqiptarëve janë mysliman, ne duhet të kujdesemi shumë për mirëqenien e shqiptarëve të krishterë, si pjesë e pandashme e kombit shqiptar.
Turqit duhet ta kuptojnë se ne shqiptarët duam të jemi jashtë përplajseve fetare të shteteve të ndryshme në rajon dhe më gjërë. Ne nuk duam të jemi mish për top në këto përplasje që bëhen për interesa politike e ekonomike. Ne kemi të drejtë të shohim tymin tonë dhe kjo duhet të respektohet. Unitetin shqiptar ne e ruajmë duke kultivuar mirëkutimin dhe bashkëjetesën fetare mes shqiptarëve me përkatësi të ndryshme fetare. Fetë neve shqiptarëve nuk na ndajnë, përkundrazi na bashkojnë sepse të përbashkët kemi kombin, shtetin dhe vlerat më të përparuara të demokracisë.
Ne shqiptarët kemi paguar një çmim shumë të lartë nga luftrat ballkanike që janë bërë në emër të fesë krishtere në fillim të shekullit njëzetë, të sponzoruara nga Rusia dhe disa vende evropiane. Shqiptarët humbën pjesën më të madhe të gjeografisë së tyre nga sllavët e jugut dhe grekët në emër të luftimit të Perandorisë osmane dhe myslimanëve. Serbia dhe Greqia bënë shumë masakra kundër shqiptarëve mysliman dhe Perandoria osmane e gjunjëzuar nuk arriti ti mbrojë. Fqinjët e shqiptarëve nuk e kishin dertin e fesë të tyre, por lakmonin tokat e shqiptarëve, ndërsa të krishterët shqiptar i çkombëtarizuan me dhunë dhe propagandë. Një pjesë e mirë e shqiptarëve mysliman u dëbuan edhe në Turqi.
Përveç kësaj, Turqia duhet të kenë mirëkuptim për kosovarët si komb i vogël dhe i ri në Evropë, i cili po ndërton raporte me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Ky bashkëpunim është krucial që ne të përballojmë politikat shoviniste greke dhe serbe në Ballkan. Turqit kanë ndihmuar shumë në pavarësinë e Kosovës. Vetë fakti që Turqia është shteti i dytë në botë, pas Shteteve të Bashkuara që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, është shumë domethënës. Por lidershipi turk e di edhe më mirë se ne, se Shtetet e Bashkuara kanë luajtur rolin vendimtar për çlirimin e Kosovës. Prandaj miqtë tanë turq nuk duhet të na venë në situata të vështira të zgjedhim mes tyre dhe Shteteve të Bashkuara. Ne nuk mund të jemi palë në mospajtimet mes Turqisë dhe Shtetet e Bashkuara në Siri sepse jemi shumë të vegjël. Ne urojmë që Ankaraja dhe Uashingtoni të gjejnë një zgjidhje për dallimet që kanë lidhur me zgjidhjen e krizës siriane. Ne nuk duam hasmëri mes aleatëve tanë strategjikë sepse kjo na dëmton shumë neve si shqiptarë.
Në fund, ndiej përgjegjësi morale si shqiptarë, në emër të miqësisë shqiptaro-turke, të kërkojë falje publike për të gjitha fyrjet dhe ofendimet të disa shqiptarëve të papërgjegjshëm kundër presidentit Erdogan dhe popullit turk. Disa bëhen nga injoranca, disa janë të porositura.
Erdogani derisa ka mbështetjen e popullit turk ne si shqiptar duhet ta respektojmë. Këtë të drejtë e kemi edhe ne shqiptarët, të zgjedhim lidershipin që duam. Fundi i fundit është respekti i ndërsjellë dhe mirëkuptimi që do na nxjerrë të dy palëve nga ky qorsokak, në interes të përbashkët të dy kombeve. Ne shqiptarët, nëse për asgjë tjetër, këto marrëdhënie duhet ti kultivojmë për hirë të mirëqenies së milionave shqiptarë të strehuar në shtetin turk si pasojë e spastrimit etnik të zbatuar nga shteti serb dhe grek./Almakos