Fjalia e fundit “Jo me çdo kusht” dje e kryeministrit Zoran Zaev ka shtuar dilemat se ai po mendon që të heq dorë nga zgjerimi i koalicionit qeveritar me partitë e tjera, siç janë krahët e Lëvizjes BESA, sidomos ai i udhëhequr nga Afrim Gashi, që ditëve të fundit është proklamuar se do të jenë pjesë e koalicionit.
Siç mëson INA, në BDI ka zëra kundër zgjerimit të koalicionit dhe se këto qëndrime kanë zënë ngushtë edhe kreun e BDI-së, Ali Ahmeti dhe njerëzit e tij që nuk duan që oponenti i tyre më i ashpër politik të bëhet pjesë e bashkëqeverisjes. Lëkundjet e Zaevit kanë ardhur pas takimit disaorësh që ka pasur me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti.
“Fillimisht e shfrytëzova rastin të njoftojë për momentet më të reja që kanë të bëjnë me çështjen me Greqinë, me problemin që Greqia e ka me emrin kushtetues tonin. Folëm për reformat gjyqësore, folëm për zgjerimin e koalicionit që të bëjmë një shumicë parlamentare më stabile, sepse Maqedoninë e presin vendime të rëndësishme, datën për nisjen e bisedimeve thirrjen për NATO. Sigurisht se jemi pajtuar, por jo me çdo kusht”, tha Zaev.
Kryeministri premtoi se deri në fund të këtij muaji do të zgjidh rikonstruimin dhe se do të pëmbyllen negociatat, por asgjë konkrete. Zvarritja e negociatave dhe çështjes së zgjerimit po ndodhë ashtu sikur me Aleancën për Shqiptarët, kur shkuan edhe me muaj, kur më në fund u ndanë Zaev – Sela, pas rezistencës dhe refuzimit të BDI-së, që ASH të qëndrojë në Qeveri me dy deputetë.
Siç mësohet, BDI ka theksuar se mund të sigurojnë edhe më tej ndonjë deputetë në koalicion, duke përjashtuar bisedimet me Lëvizjen BESA, e cila po kërkon hise më të madhe të bashkëqeverisjes, ato që i kishte ASH. (INA)