Është vendosur filtri i ri në oxhakun e furrës për djegie të mbetjeve mjekësore në deponinë “Drislla” në Shkup. Roli i filtrit do të jetë thithja e grimcave PM10, dioksidit të sulfurit dhe grimcat e tjera ndotëse të cilat lirohen nga inseneratori.
“Tashmë filtri është vendosur në emetues dhe tani duhet të bëhet plan për matje, kështu që duhet të bëhen të paktën dy matje krahasuese nga dy laboratorë, e kjo me shumë mundësi do të bëhet në fillim të javës së ardhshme, nga e hëna, në prezencë të Inspektoratit për Mjedis Jetësor”, tha Mite Naçev, Inspektor shtetëror për mjedisin jetësor.
Pas kësaj, nëse rezultatet nga matjet janë pozitive, furra do të mund të fillojë nga puna, shpjegon inspektori i mjedisit jetësor. Më parë, furra ka bërë djegie me naftë, ndërsa tani ajo do të punojë me gaz, por sipas Naçev, ajo nuk planifikohet për djegie të mbetjeve mjekësore.
“Deponia Drislla ka në plan që këtë insenerator ta përdorë për djegie të llojeve të tjera të mbetjeve. Kështu që tani nuk do të ketë djegie të mbetjeve mjekësore por do të bëhet sterilizimi i saj, në temperaturë nga 100 deri në 150 celsius, nën veprimin e avullit të ujit dhe shtypjes së lartë. Më pas ajo mbetje do të copëzohet dhe kthehet në mbetje të parrezikshme inerte, që mund të deponohen në deponinë për mbetje komunale”, shtoi Naçev.
Filtri i ri kap vlerën rreth 30 mijë euro, thotë Naçev. Vendosja e filtrit bëhet me detyrim të inspektoratit, deri në vendosjen e një furre tërësisht të re, për të cilën tashmë është dhënë leja nga Ministria për Transport dhe Lidhjeve.
Kujtojmë që furra për shkatërrimin e mbetjeve mjekësore ndaloi së funksionuari pas kontrollit të Inspektoratit Shtetëror për medis jetësor I cili doli në përfundim se e njëjta nuk i përmbush kriteret për veprimtarinë që e kryente. Për këtë arsye, në janar të këtij viti, “Drislla” u dënua me 8500 euro gjobë. /tv21