Kemi të drejtë kur themi për disa gjëra se nuk i kuptojmë se si ndodhin, apo pse ndodhin, por kjo se çka është duke ndodhur me ne shqiptarët, është fenomen në vete në botë – i madh e i vogël është duke na mashtruar.
Nuk më pëlqeu burgosja e zyrtarit “të madh” të Serbisë, sepse, pak e mbajtët nën arrest, dhe ato 5 minutat e “burgosjes” së tij bënë që e tërë Ministria e Brendshme dhe “patriotët” kosovarë të psh.rren nga gëzimi mashtrues. Ishte për t’u habitur se si vlonin telefonat, intervenimet, ndërsa më tepër më “habiti” Presidenti i Serbisë, i cili nuk iu kërcënua Kosovës, boft hajër!…
Më falni, por nuk dua të tallem më tepër, le t’i kthehemi pak seriozitetit. Ky “incident”, pa marrë parasysh prapa(nicën)vijën dhe paranicën, për popujt e qytetëruar është i papranueshëm. As në botën e tretë, të katërt, të pestë nuk ekziston diçka e këtillë. Por, për një gjë të tillë nuk janë fajtorë “evladët” tanë, ne “prindërit” jemi fajtorë, sepse na vinin me plot mashtrime dhe gënjeshtra, duke filluar nga titujt ushtarakë e deri te titujt shkencorë. Më kujtohet një bisedë me një shok ushtarak të një shteti serioz, kur më tha: “Sa shumë komandantë paska Kosova?!? Edhe pse vendi dhe numri i popullsisë nuk duron një numër aq të madh komandantësh”. Dhe ja çka do të thotë komandantë pa mend, pa ushtri, pa përgjegjësi.
Kjo që pamë ishte një lojë shumë e mirë, shumë e lehtë dhe e kuptueshme për çdokënd, përpos për ne shqiptarët, pa marrë parasysh se kush ka fituar, e dihet mirëfilli se serbët fituan territore, e të mos flas për statusin e tyre në Kosovë, një status që te asnjë pakicë në botë nuk mund ta gjeni, me një status dhe mbrojtje të veçantë si ata, ata janë dhe do të jenë imazhi më i mirë që do të krijohet te fëmijët tanë se çfarë do të thotë të jesh serb në Kosovë. Këtë status serbët nuk e kanë pasur as në kohën e ish-Jugosllavisë në Kosovë, e as që do ta kenë diku tjetër; çfarë flas unë, po ata nuk kanë status të tillë as në Mal të Zi; përpos në “vendin” e “uçkave”.
Mos mendoni se edhe për këtë lojë për të cilën ne “nuk” kemi qenë të vetëdijshëm, ne nuk do ta paguajmë shumë shtrenjtë. Nuk e them këtë për (krye)ministrat e Kosovës, sepse ata as që i pranojnë në Serbi, e as që iu duhen, por do ta paguajmë ne të cilët do të jemi të detyruar të kalojmë nëpër Serbi, por edhe nëpër Mal të Zi. Sa për poshtërimin, ajo është bërë diçka e natyrshme tashmë, por më e keqja është se nuk do të ketë shqiptar që të kalojë, e të mos paguajë gjobë e ryshfet për policët e Serbisë. Kush fitoi me këtë, ne apo ata? Pastaj, pse na mashtroni, kur dihet se një numër i madh i shqiptarëve të Kosovës tani më janë pajisur edhe me dokumentacione të Serbisë? Kjo do t’ia hapë rrugën edhe më shumë kësaj dukurie.
Tradita fetare thotë se atë që ia bëni vetvetes është më keq se gjithçka. Ja këto krijesa të çuditshme që bëjnë dhe udhëheqin politikën shqiptare i kanë kaluar të gjitha karakteret e kafshëve dhe pisllëqeve që mund të ekzistojnë në botë. Ata janë duke na nënçmuar deri në palcë, me majmunllëqe të papara dhe me zgërdhirjet që i bëjnë, sa të vjen turp t’i shikosh; janë duke na sjellë në atë pozitë të vështirë, që përpos heshtjes dhe turpit nuk ka mundësi asgjë të na shpëtojë. Jemi të dënuar me një ardhmëri të ndëshkimit. Luajtën me Zotin, luajtën me fenë, luajtën me kombin, luajtën me identitetet, luajtën me gjuhën, luajtën me kulturën qytetare e familjare. Pas gjithë kësaj, kujt i shkon mendja të flasë për demarkacionet dhe kufijtë e Kosovës?
B.I.