Në dy javët në vijim të ruhet çmimi blerës i lakrës pranverore në 30 denarët e tanishëm në mënyrë që të mbulohen shpenzimet dhe prodhimi të jetë rentabil, kërkuan bujqit në takimin e sotëm në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave (MBPEU).
Sipas tyre, çdo ditë duhet të ndiqen çmimet blerëse të lakrës në tregjet e huaja, në mënyrë që të bëhen analiza, e më pas bashkërisht me blerësit të kontraktohet çmimi blerës në interes të të dyja palëve.
Lakra pranverore për momentin eksportohet në Rusi, Poloni, Rumani, Bjellorusi dhe Ukrainë. Interesi për blerje është i madh, për ç’shkak nuk pritet tepricë.
Në takim, këshilltarja e posaçme e kryeministrit për Bujqësi, Lençe Nikollovska, tha se gjendja po ndiqet në mënyrë të vazhdueshme, por paralelisht po punohet edhe në strategjinë afatgjate për sigurimin e plasmanit të sigurt dhe në krijimin e prodhimtarisë së fuqishme kontraktuese mes bujqve dhe blerësve.
Në mënyrë që të ruhet çmimi blerës i lakrës në nivel të kënaqshëm, këto ditë do të mbahet takim edhe me blerësit e lakrës pranverore.
Takimi në MBPEU me prodhuesit u mbajt një ditë pas protestës paralajmëruese që u mbajt në Murtino.