Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, sot i pranoi kopjet e letrave kredenciale të ambasadorëve të rinj të Republikës së Tanzanisë, Principatës së Madhe të Luksemburgut dhe Mbretërisë së Danimarkës në Republikën e Maqedonisë. Ambasadorit të parë të akredituar të Tanzanisë në Republikën e Maqedonisë, me seli në Romë, Xhorxh Kahema Madafa, ministri Dimitrov i dëshiroi shumë sukses në misionin diploamtik dhe shfaqi
bindje se Madafa do të lë vulë personale në zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Mundësitë për thellim të marrëdhënieve dhe avancim të bashkëpunimit në plan bilateral dhe multilateral ishin temat kryesore të bisedës gjatë takimit.
Siç kumtoi MPJ, Dimitrov i pranoi kopjet e letrave kredenciale edhe të ambasadorit të parë të Principatës së Madhe të Luksemburgut në Republikën e Maqedonisë, me seli në Luksemburg, Kristian Biver. Me atë rast u shpreh kënaqësi e dyanshme nga niveli i marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit mes dy shteteve miqësore dhe u shqyrtuan fushat potenciale për avancimin e tyre të mëtutjeshëm. Njëherit u përshëndetën reformat dhe politika proaktive e fqinjësisë së mirë e Maqedonisë, mbështetja e riafirmuar e Luksemburgut në drejtim të perspektivës sonë evropiane dhe euroatlantike.
Grupi i sotëm i ambasadorëve të sapoemrëuar u rrumbullakësua me dorëzimin e kopjeve të letrave kredenciale të ambasadorit të Mbretërisë së Danimarkës në Republikën e Maqedonisë, me seli në Beograd, Anders Kristian Hougard.
Dimitrov dhe Hougard gjatë bisedës e përsëritën gatishmërinë e të dy vendeve për zhvillim të mëtutjeshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të ndërsjelltë, me theks të posaçëm në këmbimin ekonomik. Me atë rast, ambasadori Hougard i përshëndeti arritjet e Republikës së Maqedonisë në pjesën e reformave dhe marrëdhënieve me fqinjët, duke shfaqur bindje se Mbretëria e Danimarkës mbetet mbështetëse konsistente e angazhimeve tona për anëtarësim në BE dhe në NATO.