Në rast se dëmshpërblehen nga Ministria e Drejtësisë, 11 të dënuarit nga rasti “Sopoti”, për 15 vjetët sa kanë qenë të privuar nga liria, pritet të marrin mbi 1,2 milion euro gjithsej vetëm nga ndalesa fizike, sepse u është pamundësuar të punojnë. Kështu thonë avokatët e ish-të burgosurve të cilët që nga marsi i 2003-shit vuajtën dënimin nën akuzën për terrorizëm, por u liruan më 19 mars të 2018-tës.
Sipas Naser Raufit, kompensimi në mjete materiale do të jetë shumëfish më i lartë për torturat psiqike dhe vuajtjet shpirtërore që kanë përjetuar të dënuarit dhe familjet e tyre.
“Po patjetër se llogaritet edhe paraburgimi shtëpiak, burgu edhe koha pas deri sa ka vijuar kjo seancë. Shumë kërkesa do të ketë nga ana e të dënuarve. Por, duhet ta kemi parasysh që për këtë dëmshpërblim duhet të përgatiten edhe ekspertizat nga ana e mjekëve dhe neuropsikiatërve. Në një periudhë prej 3 muajsh do të qartësojmë se a kemi pajtim me Ministrinë e Drejtësisë apo do të ngrejmë padi tek Gjykata civile”, tha Naser Raufi, Avokat.
Por, ish të burgosurit thonë se asgjë nuk e kompenson dëmin që u kanë bërë për 15 vjet. Samet Lutfiu thotë se vuajtja shpirtërore nuk shpaguhet as për të e as për familjen, duke i lënë ata me pasoja psiqike.
“Jo me asgjë nuk mundet të kompensohet mungesa jonë sepse na kanë shkatërruar familjen. Juve si gazetarë dhe avokatëve iu faleminderojmë se shumë na keni ndihmuar, por kjo nuk paguhet me asgjë. Unë dhe Sulejman Sulejmani me nga 9 vjet ishim në burg shtëpiak, nga 7 vjet kemi mbajtur burgun në Idrizovë. Edhe ato nuk shpaguhen me asgjë”, tha Samet Lutfiu, i liruar. (19.03.2018)
Nga pala mbrojtëse e të dënuarve në rastin “Sopoti” thonë se nëse ish-të burgosurit nuk do të jenë të kënaqur me vlerësimin e dëmshpërblimit nga Ministria e Drejtësisë, avokatët do të përgatisin procedurë për ngritjen e padive civile, që përmes gjykatës të marrin atë që u takon. Ministri i Drejtësisë, Bilen Salihu në intervistën e fundit para se të japë dorëheqje foli edhe për dëmshpërblimet e Sopotasve.
“Ka disa procedura, në momentin që kërkesa do të mbërrijë në Ministrinë e Drejtësisë dhe ne do t’ju japim përgjigje adekuate në mënyrë imediate”, u shpreh Bilent Salihu, Ministër në largim i drejtësisë (19.03.2018).
11 të akuzuarit nga fshati Sopot, ishin dënuar me mbi 150 vjet burg, ku sipas Gjykatës Penale kanë kryer veprën penale, ku në mars të vitit 2003 humbën jetën dy ushtarë të NATO-s nga kontingjenti polak dhe një shoqërues civil. Rastin “Sopoti” e mori në shqyrtim Prokuroria Speciale, pasi që kishte biseda të përgjuara nga Ish-ministrja e brendshme Gordana Jankullovska dhe Ish-shefi i DKS-së, Sasho MIjallkov. Atyre iu hoq akuza nga PPS dhe u lanë të lirë më 19 mars të 2018-tës, duke u shpallur të pafajshëm nga Gjykata Penale. Avokatët thonë se dëmshpërblimi do t’ju takojë të gjithëve, si 6 të akuzuarit që ishin prezent në seancën e së hënës, ashtu edhe 4 të arratisurve, si dhe familjes së të ndjerit Samet Limani.