Në Klinikën universitare për sëmundje infektive janë regjistruar 11 raste të të infektuarve nga morbili, apo fruthi siç njihet gjerësisht.
Sëmundja vjen me temperaturë të lartë trupore, kokëdhembje, kollë e plogështi, prandaj ngatërrohet shpesh me gripin. Infektologu, Fadil Cana, thotë se nëse jeni të sëmurë me morbile, në trup shfaqen shenja të kuqe, prandaj menjëherë duhet të paraqiteni në mjek.
“Komplikimet më të shpeshta të kësaj sëmundje janë: pezmatimi i veshit, i rrugëve të frymëmarrjes, shfaqja e inflamacionit të trurit dhe cipave të trurit, por mund të ketë edhe komplikime tjera të rralla. Sëmundja më shpesh është tek grupmoshat e fëmijëve, por mund të shfaqet edhe tek të rriturit që nuk kanë qenë të vaksinuar”,- deklaroi infektologu, Fadil Cana.
Sipas infektologut Cana, mënyra më e mirë për të mbrojtur fëmijët nga fruthi është vaksinimi.
“Vaksinimi i parë jepet në moshën 12 – 13 muajshe dhe rivaksinimi bëhet në moshën gjashtë dhe shtatëvjeçare. Në rast se fëmijët vaksinohen rregullisht me këto dy doza të vaksinës, ata janë të mbrojtur kundër infeksionit ndaj kësaj sëmundje”,- u shpreh Cana.
21 mijë e 315 persona janë prekur nga fruthi vitin e kaluar në Europë, 35 prej tyre kanë vdekur, tregojnë të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. OBSh është angazhuar në fronte të ndryshme për të parandaluar përhapjen e rasteve të reja, ku rol kryesor ka ndërgjegjësimi i publikut për vaksinimin.
Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/lajme-nga-maqedonia/maqedoni-228-515368/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright