Safet Neziri, kryetar i KSHPK-së, thotë se puna kryesore sa i përket numrit të paraleleve dhe nxënësve që do të regjistrohen nëpër shkollat e mesme u takon komunave, respektivisht Qytetit të Shkupit. “Sipas Ligjit, ato kanë statusin e themeluesit të shkollave dhe nisur nga kjo dorëzojnë propozimet përkatëse, të cilat shqyrtohen në KSHPK para se MASH të publikojë Konkursin për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme”, shpjegon Neziri.
Konkursi për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme për vitin 2018/2019 është në përgatitje e sipër dhe pritet që të publikohet jo më larg se nga fundi i javës së ardhshme. Kështu pohojnë në Komisionin Shtetëror për Përpilimin e Konkursit (KSHPK), i cili megjithëse nuk pritet të ketë ndonjë ndryshim të theksuar nga viti i kaluar, prapë se prapë duhet të kalojë përmes disa fazave të shqyrtimit dhe sjelljes së vendimeve përkatëse, shkruan gazeta KOHA.
Safet Neziri, kryetar i KSHPK-së, thotë se puna kryesore sa i përket numrit të paraleleve dhe nxënësve që do të regjistrohen nëpër shkollat e mesme u takon komunave, respektivisht Qytetit të Shkupit.
“Sipas Ligjit për arsim të mesëm, komunat dhe Qytetit i Shkupit kanë statusin e themeluesve të shkollave që gravitojnë në territoret e tyre. Nisur nga kjo, në bashkëpunim me shkollat përkatëse në komuna, respektivisht Qytetin e Shkupit – dorëzojnë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH) propozimet e tyre për numrin e nxënësve dhe paraleleve, si dhe për llojet e drejtimeve dhe profileve që do të formohen në shkollat e tyre të mesme”, shpjegon Neziri. Pas kësaj, është KSHPK-ja që shqyrton propozimet dhe sjell vendim për përgatitjen e Konkursit, plotëson më tej ai. Sa i përket regjistrimit të nxënësve për vitin e ardhshëm shkollor, ministrja Renata Deskovska ka formuar paraprakisht KSHPK-në e vitit 2018/2019, i cili është mbledhur disa herë radhazi për të shqyrtuara propozimet e komunave.
“Pjesa më e madhe e komunave kanë dorëzuar propozimet e veta dhe janë shqyrtuar në mbledhjet e KSHPK-së. Ka mbetur, aty këtu ndonjë propozim i pa dorëzuar deri në këto momente, por që presim të mbërrijnë ditëve në vijim”, tregon Neziri. Bazuar në praktikat e viteve të kaluar, ai nuk pret të ketë çështje të kontestueshme.
Madje, të gjithë vendimet deri tani, thotë se janë marrë me konsensus të plotë. Megjithëse konkursi për regjistrimin e nxënësve është i përbërë nga paralele në më tepër gjuhë (maqedonisht, shqip, turqisht dhe serbisht) në kuadër të krijimit të politikave arsimore për hapjen e paraleleve në ato gjuhë nuk zbatohet marrja e vendimeve sipas parimit të Badenterit, respektivisht votimit të dyfishtë.
“Nuk ka ndodhur asnjëherë që të hidhet në votim propozim-Konkursi i ndonjë komune. Edhe nëse ndonjëri nga anëtarët e Komisionit ngre dyshime për diçka apo vëren ndonjë parregullsi në propozimet e ardhura, në KSHPK hapet debat dhe mbështetet ose jo, me konsensus të plotë, propozimi i anëtarit që ka dhënë një propozimin përkatës”. Pra, meqë vendimet merren me konsensus të plotë dhe nuk votohet për propozime konkrete, nuk ka ardhur në shprehje as votimi me parimin e Badenterit, shpjegon kryetari i KSHPK-së, Neziri. Sipas tij, anëtarët janë në unison sa i përket vendimeve që sillen për numrin, llojin dhe drejtimin e paraleleve që caktohen në konkurset për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme. Që nxënësit të kenë mundësi zgjedhje, është bërë traditë që në Konkurs të hapen shuam më tepër vende të lira se sa është realisht numri i kandidatëve të mundshëm.
Prej vitit 2007, në Maqedoni arsimi i mesëm është i detyrueshëm për të gjithë. Kjo në nivel shteti përmirësoi edhe përqindjet e regjistrimit të nxënësve sipas gjuhëve të ndryshme në të cilën e zhvillojnë mësimin. Por, pavarësisht kësaj, konkursi mbetet i pabarabartë sa i përket mundësisë së zgjedhjes që u ofrohet nxënësve.
Konkretisht për paralelet me mësim në gjuhën shqipe në Konkurset për regjistrim në shkollat e mesme ofrohen 29 për qind të vendeve të përgjithshme, ndërsa në arsimin fillor numri i gjysmë maturantëve që shkollohen në gjuhën shqipe është 33 për qind. Ndërkaq, për paralelet me mësim në gjuhën maqedonase ofrohen 68 për qind e vendeve edhe pse numri i gjysmë maturantëve që shkollohen në këtë gjuhë nuk është me i lartë se 64 për qind. Do të ndryshojnë ose jo këto raporte me Konkursin për vitin shkollor 2018/2019 mbetet të presim 31 marsin, kur ministria Deskovska ka afatin e fundit ligjor për ta publikuar atë. KSHPK-ja përbehet nga 13 anëtarët, prej të cilëve tre janë shqiptarë. /Koha.mk/