Nëntë shkolla fillore që gravitojnë në komunën e Sarajit, sot mirëpritën karvanin e Shtëpisë Botuese
“Logos-A” dhe pranuan librat dhe lektyrat që kjo shtëpi botuese ka vendosur t’i dhurojë me rastin e 7 marsit, ditës së mësuesit. Nga sot, shkolla fillore “Dituria” në Saraj, “Sami Frashëri”- Gllumovë, “Emin Duraku”- Bukoviq, “Ibe Palikuqi- Bojanë, “Dituria”- Rashqe, “Faik Konica”- Radushë, “Bedri Tahiri”- Sfillare dhe “Bajram Shabani”- Kondovë, pasuruan bibliotekat e tyre me librat e dhuruar nga Logos A.
Drejtori i Shkollës fillore “Dituria”, Rafis Ameti, përgëzoi aksionin e Shtëpisë Botuese Logos- A, dhe tha se ky aksion paraqet një ndihmesë e madhe për shkollën e tyre.
“Kjo do të jetë një ndihmesë e madhe jo vetëm për nxënësit, por edhe për të punësuarit, stafin të cilët punojnë, veçanërisht ata që ligjërojnë gjuhë dhe letërsi në shkollë. Duke pasur parasysh se në të kaluarën me ndryshimin e plan programeve kemi pasur mjaft mangësi në këtë drejtim”, deklaroi Rafis Ameti, Drejtor i Shkollës Fillore ‘Dituria’.
Karavani i Shtëpisë Botuese Logos-A, nesër do të ndalojë në rajonin e Manastirit dhe Resnjës. Muhamed Jashari nga Logos-A, thotë se gjatë këtyre ditëve që kanë dhuruar libra kanë vërejtur një entuziazëm të madhe tek arsimtarët por edhe tek nxënësit.
“Ka pasur rast kur në ndonjë shkollë kushtet nuk kanë qenë në nivel por në anën tjetër ata me një dashamirësi për librin dhe për ‘Logos-A’, i mirëpritnin librat. Kjo ndoshta vjen si pasojë e asaj se në të kaluarën edhe institucionet relevante janë treguar të paaftë ose neglizhent ndaj një gjëje të tillë. Shpresojmë që nëpërmjet këtij aktiviteti të rritet niveli i leximit tek moshatarët më të rinj dhe kjo të jetë një stimul për ata të cilët do t’i lexojnë këto libra”, deklaroi Muhamed Jashari nga SHBA “Logos-A”.
Shtëpia Botuese Logos A aktivitetin për shpërndarjen e 30 mijë librave falas e ka filluar që nga festa e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, duke shpërndarë libra nëpër të gjitha shkollat shqipe në Republikën e Maqedonisë. Kujtojmë që me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Shtëpia Botuese “Logos-A”, ka ndarë 100 mijë libra falas.
Enis Murtezi /SHENJA/