Opozita mbetet në qëndrimin se Ligji për përdorimin e gjuhëve është votuar në kundërshtim me Rregulloren për punën e Kuvendit. As nuk janë sqaruar vërejtjet që i ka cekur Presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov, i cili e ktheu ligjin për ripërpunim në Kuvend. Kështu deklaroi deputetja e VMRO-DPMNE-së. Ajo është e bindur se Ligji nuk do të kalojë në Gjykatën Kushtetuese.
“Kërkuam që ky ligj të hiqet nga rendi i ditës së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. Të formohet komision i veçantë, i cili do ta shqyrtojë këtë ligj dhe i njëjti të harmonizohet me Kushtetutën që të mund të sjellim një ligj, i cili do të jetë i zbatueshëm”, tha Nevenka Stamenkovska, deputete e VMRO-DPMNE-së.
Kryetari i Gostivarit, Arben Taravari, konsideron se Ligji për gjuhët nuk do t’i plotësojë krejtësisht të drejtat për përdorimin e gjuhës shqipe. Taravari thotë se në nivel lokal, komunat nuk do të kenë pengesa për zbatimin e ligjit, vetëm se për këtë, siç thotë ai, nevojitet virtyt politik dhe moral.
“Ky ligji assesi nuk është ideal për shqiptarët, por është një diçka që nuk përputhet me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë. Unë nuk e di pse shkojmë deri atje e të pyesim përse do të përdoret. Kemi më shumë vende në bashkësinë evropiane ku përdoren dy, tri, katër ose më shumë gjuhë”, u shpreh Taravari.
“Incidenti që ndodhi në Kuvend pak para votimit të Ligjit për gjuhët, në të cilin rolin kryesor e kishte deputeti Nikolla Gruevski, është hap i cili tregon se ish-lideri i partisë ndjehet i pafuqishëm”, konsideron Ljupço Aleksovski, një nga njerëzit që angazhohen për reforma në partinë dhe e cila paralajmëroi fraksion të VMRO-DPMNE-së.
“Ligje të këtilla të ndjeshme, siç është Ligji për gjuhët duhet të sillen me konsultime të përbashkëta mes partive politike në Parlament, duhet të arrijnë konsensus. Në fund edhe këtu parashtrohet pyetja vetëm për shqiptarët. Ne, ndaj kësaj pune shohim me gjerë. Këtu jetojnë maqedonas, shqiptarë dhe të tjerët, dhe me siguri edhe ata kanë problem me përdorimin e gjuhëve të tyre”, u shpreh Aleksovski.
Për zbatim sa më të mirë të ligjit, nevojitet të bëhet regjistrim urgjent të popullsisë në vend, u shpreh deputetja e LSDM-së, Frosina Tashevska Remenski. Jo vetëm sa për t’u numëruar, por edhe për t’i konfirmuar të dhënat prej të cilave varen shifrat zyrtare. Miratimi i këtij ligji është vetëm dokument në letër, i cili duhet të vendosë rend dhe rregulla për diçka që është sjellë qysh në vitin 2008 nga ana e pushtetit të atëhershëm, thotë Remenski.
“Aq sa unë jam e informuar procedurat për të nisur përgatitjet për regjistrimin janë duke u zhvilluar”, u shpreh Remenski.
Mendime të ndryshme në emision pati edhe për qëndrimin e Presidentit Ivanov, i cili edhe më tej konsideron se ligji është antikushtetues dhe thotë se ndërgjegjja e tij nuk i lejon që ta nënshkruajë dekretin për përdorimin e tij. Ligji do t’i dërgohet edhe Komisionit të Venecias, ku do të vendoset nëse teksti përmban pika të kontestueshme apo jo./RTV21/