Destinacioni i sotëm i karvanit të Shtëpisë Botuese “Logos-A”, ishte qyteti i Gostivarit dhe komuna e Vrapçishtit. Gjatë ditës së sotme gjithsej janë shpërndarë rreth 2000 libra falas në 16 shkollat fillore shqipe të Gostivarit dhe fshatrave të komunës së Vrapçishtit. Muhamed Jashari nga Logos-A bëri të ditur se pakot të cilat i kanë marrë shkollat, përmbajnë nga 150 libra.
“Sot në radhë kanë qenë rajoni i Gostivarit dhe komuna e Vrapçishtit. Jemi munduar që një pjesë të konsiderueshme të këtyre fshatrave të pasurojmë me libra. Përafërsisht sot kanë qenë afër 16 shkolla që janë shpërndarë librat apo titujt e Shtëpisë Botuese Logos-A, gjithsej përfshihen rreth 2000 libra vetëm gjatë ditës së sodit. Ne shpresojmë që edhe disa ditë të cilat na kanë ngelur për t’i shpërndarë librat, besojmë që do të arrijmë që me sukses ta përmbyllim këtë aktivitet”, deklaroi Jashari.
Ai gjithashtu njoftoi se kanë arritur në fund të këtij aktiviteti dhe se kanë ngelur vetëm edhe rajoni i Manastirit, Prespës dhe Sarajit, për ta përfunduar të njëjtin.
Librat për shkollat e qytetit të Gostivarit u dërguan në komunë dhe përmes sektorit për arsimit do të shpërndahen në 11 shkollat të kësaj komune. Aslihan Snopçe, përgjegjëse për arsim pranë Komunës së Gostivarit, përshëndeti këtë aksion, duke e cilësuar si gjest human të shtëpisë botuese Logos-A. Ajo uron që iniciativa të këtilla të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
“Është një gjest human, është shumë e nevojshme për shkollat. E pritëm shumë mirë edhe nga ana jonë, edhe ne si përgjegjës në komunë, por edhe nga ana e drejtorëve dhe profesorëve. Është një punë vërtetë e mirëseardhur dhe vërtetë një punë që do t’ju ndihmoj edhe nxënësve, janë lektyra shkollore kryesisht. Përveç atyre librave, shkollat fillore dhe të mesme do të furnizohen me nga 150 libra, gjithashtu ka edhe libra për profesorët”, tha Snopçe.
Pakot e librave të dhuruara nga Shtëpia Botuese Logos-A përbëhen nga lektyrat shkollore, atllaset dhe libra tjerë të ngjajshëm, ndërkaq arsimtarëve dhe arsimtareve u dhurohen nga një kopje të dramës “Ndërgjegjja” dhe librit “Gratë”, të Sami Frashërit. Aktiviteti ka filluar më 7 mars dhe do të vazhdojë deri në fund të këtij muaji, ku do të shpërndahen rreth gjithsej 30.000 kopje. /shenja/