Koordinatori i Grupit Parlamentar të BDI-së Ejup Alimi, sot nuk u paraqit në seancën e parë në rastin “Titanik 3” për parregullsi zgjedhore. Ai ndodhet në udhëtim zyrtar në Shqipëri.
Ftesën për këtë vizitë e ka marrë dy ditë më parë, ndërsa ftesën gjyqësore më 1 mars. Prokuroria Speciale pyeti se çfarë ka qenë aq e rëndësishme për Alimin që të shkojë në këtë udhëtim?
Mbrojtja theksoi se udhëtimi është nënshkruar nga Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit, Cvetanka Ivanova, por mbrojtja nuk dha përgjigje të saktë, nëse ftesa për Ejup Alimin i është drejtuar personalisht atij. Në sallën e gjyqit erdhi vetëm i pandehuri i dytë Ismet Guri.
Për shkak të mungesës të bashkëpartiakut të tij, gjykimi u shty për më 27 prill. Guri pret të ketë gjykim të drejtë.
Ejup Alimi më 17 korrik të vitit të kaluar kishte siguruar gjyqtarët e Apelit se nëse e arrestojnë në ndonjë vend tjetër do të ikë dhe do të kthehet në Maqedoni që të jetë i pranishëm për procedurën kundër tij. Atëherë gjykata e apelit vendosi se Alimi nuk duhet të shkojë në burg, ndërsa nuk iu caktuan as masa më të buta si konfiskim të pasaportës. Specialja argumentoi se dëshmitarët e tyre kanë frikë nga koordinatori i BDI-së. Ai pohoi se nuk ka ndikim mbi dëshmitarët.
Gjykata Penale përmes një letre do të njoftoj kryetarin e Parlamentit, Talat Xhaferi me seancat e planifikuara të deputetit Ejup Alimi, që eventualisht ta justifikojë nëse zyrtarisht mungon në Maqedoni. Përndryshe Gurin dhe Alimin, Specialja i ndjek penalisht për shkatërrim të materialit zgjedhor. Sipas aktakuzës, në vitin 2013 për zgjedhjet lokale, dy zyrtarët kanë kurdisur rezultatet zgjedhore dhe kanë bërë ndryshime në listat e zgjedhësve – kanë shtuar dhe hequr vota për të zgjedhur kryetar komune në raundin e parë në Çair.