Organizata jo qeveritare CIVIL ka reaguar kundër vendimit të gjykatës dhe prokurorisë për lirimin e të akuzuarit kryesor, në rastin “Almiri”, Boban Iliç. Ata nëpërmes një kumtese dërguar portalit Almakos thonë se janë të tmerruar nga vendimi skandaloz i prokurorisë dhe gjykatës së Kumanovës për rikualifikimin e lëndës nga “vrasje” në “ vepër penale serioze kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik”.
“Ky është nivel absurd i rezonimit dhe i veprimit të një sistemi juridik i cili duket qartë se është thelluar në praktika krejtësisht të papranueshme. Gjykata e Kumanovës dje edhe një herë vërtetoi se drejtësia në Maqedoni është selektive dhe njëanshme. Skenari i turpshëm në rastin e Almirit të vogël është edhe një vërtetim për këtë”, thuhet në kumtesë.
Ata kërkojnë ritrajtimin urgjent të tërë procesit gjyqësor. Gjithashtu, kërkojnë ndarjen e rastit për vrasjen e Almirit nga rasti për dhunën fizike mes të gjithë pjesëmarrësve të cilët duhet të ndëshkohen!
“Edhe më e turpshme nga vendimi i gjykatës së Kumanovës është sjellja e të Akuzuarit Boban Iliq dhe e vëllait të tij në, dhe jashtë gjykatës. Mosrespektimi i këtillë i gjykatës, familjes së Almirit, por edhe publikut, vetëm do të kontribuon edhe më tepër për dëshpërimin, mllefin dhe mosbesimin e skajshëm në institucionet e drejtësisë dhe shtetit në përgjithësi”, thuhet më tej në kumtesë.
Nga organizata Civil e dënojnë ashpër sulmin dhe kërcënimet e djeshme mbi gazetarin e TV 21.
“Pyetja “A do menjëherë të kthehem në burg?” nuk mund të kuptohet ndryshe, përveç si kërcënim për jetën e gazetarit dhe i njëjti duhet menjëherë të dënohet dhe ndëshkohet. Nga Ministria për punë të jashtme dhe Prokuroria Publike kërkojmë reagim të shpejtë dhe veprim ndaj këtyre kërcënimeve”, nënvizohet në kumtesë.