Zelina Barth është e lindur në Pogradec, ndërsa vetëm në moshën 15-vjeçare ka ardhur e vetme në Dizhon të Francës. Aktualisht, ajo është udhëheqëse e kompanisë, bashkëthemeluese e sipërmarrjes „Magnesia Process“, karrierën e saj si duket do ta përcjellë një optimizëm i përsosur.
Zelina Zagorçani është e lindur në Shqipëri para 35 vitesh. „Në periudhën e komunizmit“. Gjyshi i saj ishte në një rang të lartë të regjimit të atëhershëm politik, e ëma violiniste, ndërsa babai me profesione të ndryshme: «U rrita tek gjyshja ime deri në moshën shtatëvjeçare. Ishte shumë më lehtë me prindërit e mi të cilët punonin së tepërmi. Por, nuk i shihja me përjashtim të fundjavëve».
Familja e saj deshti t`i krijojë një ardhmëri të ndritshme, duke zgjedhur Francën. «Universiteti në Shqipëri nuk njihet jashtë vendit. Isha e vetëdijshme se largimi nga vendlindja ishte një rast i jashtzakonshëm për mua»,ka pohuar Zelina për të përditshmen regjionale franceze „Bien Public“, përcjellë Shtegu.com.
E ardhur në Francë që në moshën 15-vjeçare, Zelina Zagorcani (aktualisht Barth) vijoi mësimet në vitin e tretë të Kolegjit „Boris-Vian“ të Talantit. «Ishte e mrekullueshme, u adaptova shumë shpejt. Një vit para se të vija në Francë, bëra një kurs të gjuhës frenge… Pasiqë paraprakisht isha angazhuar ta mësoja gjuhën angleze, gjuha frenge më dukej se ishte thembra ime e Akilit». Vështirë të besosh kur e dëgjon duke folur rrjedhshëm gjuhën frenge…me një theks të këndshëm, shkruan më tej gazeta.
Kujtimet e saja që më së tepërmi i lanë brenga pas arritjes në Francë: «Artikuj të mjaftueshëm dhe me plot zgjedhje nëpër shitore… Tek ne, nuk kishte asgjë përpos disa shitoreve të vogla». Pas përfundimit të studimeve, ajo filloi praktikën në një agjenci turistike biznesi në Dizhon, ku do ta takonte partneren e saj të ardhshme, Isabelle Provaux. Në vitin 2009, ato bashkërisht e themeluan kompaninë „Magnesia Process“, sipërmarrje e specializuar në organizimin e kongreseve, seminareve dhe konventave.
«Kompani, federata, shoqata… është kjo që më pëlqen në profesionin tim, janë këmbime në mes të klientëve të cilët vijnë nga të gjitha anët e botës». Gjatë një viti, biznesmenja shqiptare organizon rreth njëzet takime, ndërsa shifrat e biznesit sillen në mes të 800 mijë e një milion e 200 mijë euro, varësisht nga viti.
Nënë e dy fëmijëve të vegjël, ajo e menaxhon me ëndje jetën personale, por edhe profesionale. «Sapo i thashë një klientit tim se do t`ia kryej shërbimin pasi t`ua bëj një dush fëmijëve». Qëndrim bashkëkohor i një nëne të përsosur? (Shtegu.com)