Autorët e mbi-shkrimeve me përmbajtje anti-shqiptare të bëra mbrëmë në objektin e Institutit të trashëgimisë Shpirtërore të Shqiptarëve të Maqedonisë duhet të gjinden dhe të njëjtit të vendosen para përgjegjësisë për veprën tyre, thotë për Almakos Avokati I Popullit, Ixhet Memeti.
“Sigurisht se policia është e obliguar jo vetëm të reagojë, por edhe të ndërmarr veprime konkrete t’i zbardh rastet dhe të kërkoj që përgjegjësit të sanksionohen”-tha Memeti për Almakos,
Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se po ndjekin hapat e nevojshëm për zbardhjen e rastit dhe gjetjen e autorit.
“Gjatë ditës së sotme rreth orës, 10:40 është paraqitur një rast se në bulevardin “Ilindenska” në Shkup, tek lokacioni i ITSHKSH-së persona të panjohur kanë bërë disa grafite me përmbajtje fyese kundër shqiptarëve të cilët supozohet që veprimin e kanë kryer gjatë natës së mbrëmshme. Jemi duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e rastit dhe gjetjen e autorëve”, thonë nga MPB për Almakos.
Ndryshe këto shkrime në ITSHKSH vijnë pasi mbrëmë deputetët në Kuvendin e Maqedonisë miratuan ligjin për përdorimin e gjuhëve.
Mevludin Imeri
Almakos.com