Me 64 vota “ pro”, asnjë “ kundër” apo “të përmbajtur”, dhe 24 vota sipas Badenterit, Kuvendi i Maqedonisë votoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve.
Kjo shkaktoi revoltë tek deputetët e VMRO-DPMNE-së , të cilët për herë të dytë e rrethuan Talat Xhaferin dhe filluan të bërtasin duke thënë se kryparlamentari ka shkelur Rregulloren e Kuvendit duke hedhur poshtë mbi 35 mijë amandamentet propozuara prej tyre.
Ishte deputeti Nikolla Gruevski ai i cili iu afrua kryeparlamentarit me qëndrim aspak miqësor, duke i derdhur gotën e ujit dhe duke e kapur për kycin e dorës.
Më ndërhyrjen e sigurimit të Kuvendit, kryeparlamentari doli nga salla, ndërsa deputetët e shumicës qëndronin ulur për të mos ndikuar në tensionimin e situatës.
Kryeparlamentari Talat Xhaferi, votimin e ligjit pa hapur debat për amandamentet e shpjegon me nenet e Rregullores së Kuvendit, ku thuhet se në leximin e tretë mund të propozohen amandamente vetëm në bazë të ndryshimeve që ka pësuar ligji gjatë leximit të dytë përmes amandamenteve të propozuara në atë kohë. Meqë ligji nuk pësoi asnjë ndryshim në leximin e dytë, Xhaferi tha se amandamentet e VMRO-DPMNE-së nuk duhej të diskutoheshin.
“ Neni 173, pika 3 qartë përcakton se mund të parashtrohen amandamente, por neni 172 i Rregullores përcakton se ligji në rast se nuk dekretohet nga Presidenti, kthehet në procedurë parlamentare në lexim të tretë. Neni 164, pika 2 e Rregullores, qartë përcakton se në leximin e tretë mund të parashtrohen amandamente vetëm për pjesë të cilat në leximin e dytë janë ndryshuar ose plotësuar me amandamente, duke pasur parasysh se ligji në leximin e dytë nuk pati asnjë ndryshim, kryeparlamentari vendosi të veprojë në bazë të nenit 164, pika 2”- tha para gazetarëve kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
I pyetur nëse do të merren masa ndaj deputeti Gruevski për sjelljen e tij në seancën e sotme, kryetari i Kuvendit tha se më së mirë sjelljen e Gruevskit do ta vlerësojnë qytetarët.
“ Unë si kryetarë parlamenti nuk kam arsye për të marrë masa, mendoj se vet sjellja e tij tregon mjaft kundrejt qytetarëve dhe besoj se qytetarët e Republikës së Maqedonisë ashtu si morën masa në zgjedhjet locale do të tregojnë se ku e ka vendin i njëjti edhe në zgjedhjet tjera”- tha Talat Xhaferi.
Nga VMRO-DPMNE në një konferencë për media thanë se nuk do ta njohin Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Kryetari i kësaj partie, Hristjan Mickoski, njeherit paralajmëroi padi penale ndaj kreut të Kuvendit Talat Xhaferi për siç u shpreh shkelje të kushtetutës dhe ligjeve.
Ndërkohë që brenda Kuvendit ndodhte e gjitha kjo, jashtë një grup qytetarësh protestonin kundër miratimit të ligjit për përdorimin e gjuhëve, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Zaev dhe duke brohoritur me thirrje nacionaliste drejtuar shqiptarëve. Kuvendi ishte i rrethuar edhe nga forca të shumëta policore.
Ligji për përdorimin e gjuhëve u nënshkrua nga kryetari i Kuvendit Talat Xharefi, dhe i njëjti hyn në fuqi pas publikimit në Gazetën Zyrtare.
Përgatiti: Evi Shkopi
Montimi: Evi Shkopi
Kameraman: Dejan Nedelkovski
Almakos.com