Këshilltarit në kabinetin e Ministrit të Punëve të Brendshme i është shqiptuar padi penale dhe do të mbrohet në gjendje të lirë..
Këshilltarit në kabinetin e Ministrit të Punëve të Brendshme i është shqiptuar padi penale dhe do të mbrohet në gjendje të lirë për “abuzim të pozitës zyrtare dhe autorizimit”, por për hir të masave të sigurisë i është marrë përkohësisht pasaporta dhe është i detyruar të paraqitet para autoritetit kompetent, vendosi gjykata.
Këshilltari në Ministrinë e Punëve të Brendshme, D.S., i cili u arrestua pardje në stacionin policor akuzohet për nxjerrjen e një sekreti shtetëror me të cilin e ka rrezikuar dhe e ka dëmtuar hetimin penal që është një vepër e ndëshkueshme me ligj.
Dje, Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se D.S., i cili ishte ekspert të fushën e kriminalistikës dhe këshilltar shtetëror në kabinetin e ministrit për kriminalistikë, më 26 shkurt në mjediset e një institucioni shëndetësor në Shkup ka pasur takim me një femër ndaj të cilës po zbatoheshin masa të veçanta hetimore.
D.S. në mënyrë të drejtpërdrejtë, ka nxjerrë një sekret zyrtar, duke i treguar se ndaj saj është duke u zbatuar një masë e veçantë hetimore dhe se po përgjohen të gjithë numrat e saj telefonikë dhe se një masë monitorimi zbatohet ndaj saj. Ai e paralajmëroi atë të ishte e kujdesshëm dhe se në ditët e ardhshme mund të aplikohej një masë e re – duke përdorur një agjent të infiltruar.
Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski dje në një konferencë shtypi tha se pret që shumë shpejt në një procedurë të përcaktuar me ligj dyshimi të konfirmohet ose refuzohet. Theksoi se MPB-ja nuk do të tolerojë rrezikimin e hetimeve dhe procedurave.
“Nxjerrja e një sekreti zyrtar, rrezikimi dhe dëmtimi i një hetimi penal, është vepër penale. Qytetarët na kanë dhënë besimin për të luftuar krimin dhe për çdo aktivitet të paligjshëm të konfirmuar do të ketë zero tolerancë. Duhet të jetë e qartë për të gjithë”, tha Spasovski.
Lidhur me këtë rast reagoi edhe kryeministri Zoran Zaev i cili në rrjetin social “Facebook” shkruan se nuk i di detajet për rastin por i motivon institucionet të realizojnë hetim profesional dhe të sjellin vendime të bazuara në fakte.
“Institucionet duhet që të jenë në shërbim të qytetarëve dhe në funksion të sundimit të së drejtës. Nuk ka vend për tolerancë për veprimet e jashtëligjshme”, shkruan Zaev.
Për rastin reaguan edhe partitë. Sipas partisë opozitare VMRO-DPMNE, Ministria e Brendshme, në vend që të luftojë krimin dhe korrupsionin, është bërë një “strehimore për grumbullimin e ryshfetit dhe mbrojtjen e krimit”.
Nga LSDM-ja thonë se Maqedonia u bë një shtet ligjor në të cilin çdo individ përgjigjet për veprimet e tij dhe se “ka shkuar koha kur disa individë nuk përgjigjeshin para ligjit, ndërsa institucionet përpiqeshin që të fshihnin dhe mbulonin veprimtaritë e tyre të paligjshme. Kjo kohë përfundoi me largimin e VMRO-DPMNE në opozitë./mia