Ndihmëssekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell do të vizitojë Maqedoninë të martën, konfirmoi qeveria maqedonase. Njoftohet se diplomati amerikan do të takohet me kryeministrin Zoran Zaev. Deri më tani nuk ka detaje të tjera rreth agjendës së tij gjatë qëndrimit në Shkup.
Victoria Nuland, e cila kishte shërbyer në këtë funksion për shumë vjet erdhi në Maqedoni gjatë bisedimeve për marrëveshjen për të dalë nga kriza politike. Ajo dha dorëheqje vitin e kaluar, pas së cilës Mitchell u emërua ndihmës-sekretari i Shtetit i SHBA-së. Ai u takua me ministrin e jashtëm maqedonas Nikola Dimitrov vitin e shkuar në vizitën e tij në Uashington.
Përndryshe, Mitchell do të jetë në një turne rajonal. Gazeta serbe “Novosti” shkruan se Shtetet e Bashkuara kanë përgatitur një paketë propozimesh për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të cilat do të prezantohen gjatë vizitës së Mitchell në rajon. /SHENJA/