Qytetarët e Shkupit, që përdorin rregullisht transportin publik ankohen se autobusët e ndërmarrjes publike janë të papastër. Ulëse të pista, erë e keqe, pluhur gjithandej bredna autobusëve është fotografi e përditshme me të cilën përballen për çdo ditë qytetarët.
Në Ndërmarrjen e transportit publik përgjegjësinë për autobusët e pistë urban e hedhin në sektorin e marketingut.
Me ndërmjetësimin e zëdhëndësi të Qytetit të Shkupit, Valon Saliu, kontaktuam me personin përgjegjës në sektorin e marrëdhënie me publikun,e cila e pranoi se e ka marrë pyetjen tonë nga drejtori i ndërmarrjes, Kristijan Çushkov, por se ende nuk ka një përgjigje për Almakos se pse autobusët janë të papastër.
Qytetarët e anketuar janë të revoltuar dhe ankohen se higjiena nëpër autobusë është në nivelit shumë të ulët.
‘’Nga higjiena nuk jam shumë i kënaqur, në vendet evropiane autobusët e ri duken sikur të kenë dalë nga fabrika, kurse këtu, varet prej asaj se në çfarë disponimi janë pastrueset dhe ata që i kontrollojnë,’’ thotë një qytetarë.
‘’Nuk jam e kënaqur. Dritare janë të pa pastërta, gjithçka është e pa pastërt, ulëse të dëmtuara, higjiena është në zero, tash i lëshojnë autobusët e vjetër ato janë edhe më keq,’’ u ankua një qytetare.
‘’Nuk jam e kënaqur shum. Kur ti pastrojnë autobusët nëpër ulëse ka ujë ulemi dhe bëhemi pis. Mendoj se duhet të mbahet higjiena në nivel më të lartë,’’ deklaroi një qytetare.
Një pjesë e qytetarëve thonë se gjendja më e keqe me higjienën e autobusëve është me linjat private dhe ato publike qarkullojnë nëpër fshatrat e kryeqytetit.
‘’Të ju them të drejtën, këtu në qendër është më mirë, kurse autobusët që shkojnë nëpër provinca janë për askund,’’ thotë një qytetarë.
‘’Autobusët privat janë pak më të flliqur, kurse ata shtetëror më të pastër. Mendoj se duhet vet shoferët t’i pastrojnë pasi autobusët janë të tyre,’’ konsideron një qytetarë tjetër.
Ka edhe qytetarë të kënaqur me nivelin e higjienës nëpër autobusët e trafikut urban dhe mendojnë se higjiena nuk duhet të jetë vetëm përgjegjësi e ndërmarrjes publike, por edhe e vetë qytetarëve.
‘’Mesatarisht jam i kënaqur, deri më tani është mirë, duhet dhe ne qytetarët që përdorim transportin ta mbajmë higjienën, duhet t’i ruajmë autobusët,’’ vlerson një qytetarë.
Përndryshe vitin e kaluar nga NQP Shkup kishin informuar se autobusët pastrohen dhe dezinfektohen, kurse autobusët që janë 12 orë në qarkullim, pastrohen dy herë në ditë. Madje ish drejtori Igor Janushev çështjen e papastërtisë e kishte hedhur mbi qytetarët, dhe kishte sugjeruar që autobusët t’i mirëmbajë higjiena komunale.
/Almakos
Arbnora Memeti
(Foto: Borçe Popovski)