Komuna Butel, njësoj si komuna Çair, është e pa interesuar për realizimin e projektit për shfrytëzimin e shërbimeve për ngrohje qendrore të ndërmarrjes “Elem Energetika”, edhe pse qytetarët e kësaj komune, aktualisht paguajnë 20 për qind fatura më të shtrenjta për ngrohje.
Drejtuesit e komunës refuzimin e lidhjes së qytetarëve në rrjetin e ngrohtores më të lirë e arsyetojnë me realizimin e projektit për gazifikimin e komunës, për realizimin e të cilit nuk tregojnë se kur pritet të realizohet. Ndërsa lidhja me ngrohtoren e lirë mund të realizohet shumë shpejtë dhe qytetarët sezonin e ardhëm të dimrit mund të ngrohen me çmime më të arsyeshme.
Burime nga komuna e Butelit për Almakos thonë se për të bërë marrëveshje me ngrohtoren me çmime më të lira duhet të bëhen analiza dhe inspektim i mirëfilltë i tregut.
“Komuna këtë iniciativë e morri disa vite më herët, por qytetarët atë kohe nuk ishin të interesuar. Këtë e themi pas anketës që e kemi kryer gjatë asaj periudhe”, thonë nga komuna Butel, duke shtuar se ky projekt tani nuk mund të fillohet sepse përveç se është i kushtueshëm, tani prioritet i Qeverisë po edhe i Komunave është gazifikimi i tërë territorit.
Projekti ideor i ndërmarrjes ELEM për lidhjen e qytetarëve dhe të institucioneve publike në rrjetin e ngrohjes qendrore, realizim i të cilit qytetarëve do tu mundësojë ngrohje më të lirë për 20 për qind është gati tashmë tetë vite.
“Do të presim, nëse nuk do të arrijmë marrëveshje me këtë pjesë domethënë, komunat Çair dhe Butel do të përgatisim plan për pjesën tjetër, Aerodrom dhe tjera. Ne kemi fuqi, potencial, jemi më të lirët, po edhe jemi afër komunave që juve ju interesojnë”, deklarojnë për Almakos nga kjo ngrohtore.
Ndryshe për shkak të çmimeve të shtrenjta për ngrohje, pjesa dërmuese e amvisërive dhe ndërmarrjeve afariste në Butel nuk përdorin energjinë e ngrohjes nga Ngrohtorja Shkup-Veri. Për ngrohjen e shtëpive dhe kompanive qytetarët shfrytëzojnë energjinë elektrike, ndërsa pjesa më e varfër e popullsisë përdorë drurin për ngrohje, i cili shkakton ndotje serioze të ajrit.
Lexo edhe: Kryetari i Çairit i painteresuar për ngrohjen e lirë të qytetarëve
Mevludin Imeri
Almakos.com