Bashkimi Demokratik për Integrim ka filluar të realizojë masat e premtuara gjatë fushatë parazgjedhore me të cilat parashikohet mbështetje financiare për mërgimtarët që do të investojnë në vendlindje.
Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi sot zhvilloi takim pune në Odën Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, ku para përfaqësuesve të bizneseve, anëtare të kësaj ode, prezantoi masat për përkrahje financiare të investimeve, Ligj ky që është përpiluar dhe prozuar nga Ministria e Ekonomisë, në drejtim të mbështetjes së bizneseve në vend.
Ministri Bekteshi para kryetarit të OEMVP-së, Nebi Hoxha tha se me Odën Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, si partnere e Ministrisë së Ekonomisë kanë krijuar dhe zbaton politikat ekonomike në vend. Plani për Rritje Ekonomike tha Bekteshi, përfshin tre shtylla kryesore, mbështetje financiare për investimet, mbështetje financiare për konkurrueshmërinë dhe mbështeje financiare për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Për here të pare, tha Bekteshi vend të merituar do të zë edhe diaspora jonë e madhe, të cilës do ti krijohen kushte për tu kthyer në vend, për të jetuar dhe vepruar këtu, duke shtuar se është koha të ndërpritet ikja e të rinjve dhe kthimi i kurbetçarëve në Maqedoni.
‘Ndër temat kryesore që sot biseduam ishte edhe inkorporimi i diasporës në drejtim të mbështetjes financiare dhe tërheqjes së investimeve nga diaspora në vendin tonë. Siç e dini ne në program e kemi inkorporuar edhe mbështetjen për bashkëqytetarët tanë që përkohësisht jetojnë jashtë vendit, me të vetmin qëllim që ata të kenë mundësinë të kthehen në vend, dhe këtu të investojnë kapitalet e tyre të arritura jashtë vendit. Kjo masë është e inkorporuar edhe në programin e Bashkimit Demokratik për Integrim, program ky që është i inkorporuar edhe në programin për punë të Qeverisë së Maqedonisë. Andaj ne në ditët në vazhdim do të punojmë në drejtim të gjetjes së modaliteteve për mënyrën se si do të mbështesim investimet që vijnë nga bashkëqytetarët tanë që jetojnë jashtë vendit’ tha ministri Bekteshi duke dhënë lajmin për diasporën.
Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore tha se ligji është shumë pozitiv, dhe se anëtarët e odës kanë bërë një analizë të mirëfilltë të këtij ligji, me çrast komentet e të gjithëve janë pozitive. Hoxha shtoi se kërkojnë lehtësim të procedurave për aplikim, kontrollë të ndarjes së këtyre mjeteve, dhe vëmendje më të madhe ti kushtohet grave sipërmarrësve në viset rurale të vendit.
‘Ligji për mbështetje financiare të investimeve është Ligj i cili është pritur një kohë të gjatë, dhe është një ligj të cilin oda e jonë e ka përkrahur vazhdimisht, sepse është një ligj që përkrah bizneset e vogla dhe të mesme, ndërsa ekonomia e vendit varet pikërisht nga këto biznese’, tha Hoxha.
Ministri Bekteshi shfrytëzoi rastin tu uroj të gjithë grave në Maqedoni 8 Marsin, Ditën ndërkombëtare të Grave, duke i informuar ato se në formë të një dhurate të vogël Ministria e Ekonomisë ka publikuar Thirrjen publike për subvencionim e ndërmarrjeve të udhëhequra nga gratë.