Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi precizoi se cilat do të jenë hapat e tij të ardhshëm lidhur me miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve, i cili është në lexim të tretë në Parlament, por vetëm theksoi se gjithçka do të jetë në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren kuvendore.
“Lidhur me këtë çështje, kryetari i Kuvendit nuk ka plane A,B,C,D…. Kryetari i Kuvendit para vetes ka Kushtetutë dhe Rregullore për punën e Kuvendit. Dhe kjo do të thotë se atje është e rregulluar gjithçka. Kryetari i Kuvendit nuk mendon për kurrfarë marrëveshje, por zbaton Rregullore dhe Kushtetutë, ndërsa marrëveshjet janë punë e partive politike”, tha Xhaferi duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve gjatë vizitës së sotme në Komunën e Tetovës.
Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi konsideron se nuk ka kurrfarë shkaku dhe problemi, që ligji pasi që është miratuar një herë, të votohet me konsensus akoma më të gjerë.
Thotë se nuk ka krizë në koalicion, ndërsa lidhur me bashkëpunimin dhe mbledhjet ndërpartiake, potencoi se BDI-ja mbetet gjithmonë e gatshme të marrë pjesë në të gjitha mbledhjet ku duhet të japë kontribut për tejkalimin e të gjitha dallimeve eventuale.
Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski sot pas takimit me kryetarin e Lëvizjes BESA, Afrim Gashi, i pyetur nëse është i mundur konsensus rreth amendamenteve deri javën e ardhshme deklaroi se nuk pranon ultimatum dhe se nga ana e tyre veç më është ofruar zgjidhje, gjegjësisht amendamentet do të tërhiqen vetëm nëse tërhiqet edhe ligji dhe nëse inkuadrohet drejt përgatitjes të një të riu.
Ligji është para deputetëve në lexim të parë, pasi presidenti i Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov nuk e nënshkroi dekretin. VMRO-DPMNE-ja parashtroi mbi 35 mijë amendamente dhe mendon se për to duhet të ketë debat në Parlament.
Xhaferi, të martën caktoi seancë plenare, në të cilën ishte ky ligj, por ajo u shty. Ai dha afat prej një jave që partitë të arrijnë marrëveshje.