Pas lajmit të publikuar për herë të parë në Almakos se Rami Mislimi, nëpunës publik në komunën e Tetovës është zgjedhur nga Kuvendi anëtarë i Komisionit për ndarjen e çmimit shtetërorë për arritje të veçanta në gazetari, “ Mito Haxhi Vasilev Jasmin,” ka reaguar sot shkrimtari Bujar Plloshtani. Mislimin, në Komisionin për ndarjen e çmimit për gazetari është zgjedhur me propozim të deputetit të BDI-së, Artan Grubi.
Deputeti Artan Grubi ka prapavijë të ulët njerëzore dhe politike, pasi që vetëm një lloj i tillë deputeti inicon dhe shkarkon si t’i kujtohet një anëtar të Komisionit për ndarjen e çmimit shtetëror, thuhet në reagimin e Plloshtanit.
“Rritja konstante e ndikimit politik nga “politikan të rastit” mbi vlerat njerëzore të individëve që nuk kanë jetuar dot një jetë politike aktive u bë pothuaj mjaft neveritëse. Ai lloj deputeti që inicon dhe shkarkon si t’i kujtohet vetëm një anëtar të Komisionit për ndarjen e çmimit shtetëror ka prapavijë të ulët njerëzore dhe politike. Edhe të jesh sot i përcaktuar për të qenë sadopak forcë lëvizëse e vlerave shoqërore sulmohesh tinëzisht nga klika e lidershipit të partisë shqiptare në pushtet”, thuhet në reagimin e Bujar Plloshtanit.
Veprimet jopolitike të BDI-së dhe kryetarit të sa, Ali Ahmeti, siç thotë Plloshtani, po dëshmojnë se janë çekiç i këtij populli.
“Ali Ahmeti dhe BDI tashmë me veprimet e tyre jopolitike po dëshmojnë se janë çekiç i këtij populli, të kësaj shoqërie që përpiqet për sadopak vlera shpirtërore e kulturore, dhe në vend të tyre vënë partizan që më lehtë mund t’i tërbojnë nëpër udhët që duan. Po tentojnë të na mbyllin gojën, të na heqin të gjitha të drejtat që na janë përcaktuar, sepse ata janë më të shqetësuar se kurrë për përfitimin dhe mbajtjen e pushtetit sesa me sigurimin e mirëqenies së publikut”, thuhet ndër të tjerash në reagimin e Plloshtanit.
Më një mars në seancën e Komisionit për Çështje dhe Emërime, në porpozimin e Grubit që Rami Mislimi të zëvendësojë Bujar Plloshtanin, u votua nga të gjithë anëtarët me përjashtim të deputetit të LSDM-së, Muhamed Zekiri.
Ky i fundit për Almakos tha se Rami Mislimi nuk e ka vendin në atë komision, pasi nuk është person adekuat.
Megjithatë edhe përkundër këtij kundërshtimi, shumica parlamentare në seancën plenare të ditës së hënë, e votoi Rami Mislimin si anëtarë të Komisionit për ndarjen e Çmimit Shtetëror “Mito Haxhi Vasilev Jasmin”, çmimi më i lartë për të arritura të theksuara në fushën e gazetarisë.
Përgatiti: Evi Shkopi
Almakos.com