30 000 kopje gjithsej, nga 150 libra për bibliotekat e të gjitha shkollave fillore me mësim në gjuhën shqipe dhe nga një libër dhuratë për të gjithë arsimtarët shqiptarë në Maqedoni. Ky është aktiviteti kulturor i Shtëpisë Botuese “Logos -A” që realizohet me rastin e Ditës së Mësuesit – 7 marsit.
“Ndërgjegjja” është titulli i dramës së pabotuar deri më tani të Sami Frashërit, që do të jetë dhuratë për të gjithë arsimtarët shqiptarë në Maqedoni. Ndërkaq “Gratë” është titulli i librit, po ashtu të Sami Frashërit, e që do të jetë dhuratë për të gjithë arsimtaret shqiptare të Maqedonisë.
Drejtori i Shtëpisë Botuese, Logos-A, Adnan Ismaili, tha se iniciativa të ngjajshme për 7 marsin, janë realizuar me vite të tëra, megjithatë ai nënvizoi se këtë herë një gjë e tillë po bëhet në mënyrë më të organizuar në bashkëpunim me Lidhjen e Arsimtarëve Shqiptarë në Maqedoni, si dhe Shtëpinë Botuese ”Shkupi”.
ADNAN ISMAILI, DREJTOR I SHB “LOGOS – A”
“Sivjet kemi vendos 30. 000 libra përafërsisht, gjithsej. Rreth 7 mijë libra janë ‘Ndërgjegjja’ dhe ‘Gratë’, ndërsa pjesa tjetër është siç e shihni, atllaset, lektyrat shkollore dhe kështu me rradhë. Pse ‘Ndërgjegjja’, pikërisht sepse për herë të parë botohet, është një risi për lexuesin shqiptarë, arsimtarin shqiptar, sepse për herë të parë pas 114 vitesh, që kur e ka shkruar Sami Frashëri në gjuhën Osmane, për herë të parë botohet në gjuhën shqipe. Ndërsa ‘Gratë’ arsimtareve deshëm një dhuratë të veçantë për 7 marsin.”
Ndërkaq, nën moton “Shkupi për Shkupin” , shtëpia Botuese “Shkupi” bën dhurimin e librave për bibliotekat shkollore të 13 shkollave të mesme në gjuhën shqipe në Shkup. Bëhet fjalë për nga 150 libra për secilën bibliotekë shkollore, ndërkaq gjimnazeve të Shkupit nga 300 kopje. Drejtori i kësaj shtëpie botuese, e konsideron këtë si një thirrje për institucionet shtetërore që të ndërmarrin aktivitete me qëllim të furnizimit të rregullt të bibliotekave shkollore.
AZAM DAUTI, DREJTOR I SHB “SHKUPI”
“Kjo duhet të jetë një nxitje për autoritetet shtetërore, sepse bibliotekat shkollore, edhe të atyre fillore dhe atyre të mesme prej viteve të 90 e këndej, nuk furnizohen në mënyrë të organizuar nga shteti, por furnizohen në mënyrë incidentale. Kjo le të jetë një ftesë dhe një thirrje tek institucionet e shtetit që të ndërmarrin dhe të bëjë aktivitete që të gjitha bibliotekat shkollore, fillore dhe të mesme, të furnizohen në mënyrë të rregullt. “
Pala e tretë, që ndihmon zhvillimin e këtij aktiviteti është Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë. Kryetari LASH-it, Nuhi Dardhishta.
NUHI DARDHISHTA, KRYETAR I LIDHJES SË ARSIMTARËVE SHQIPTARË NË MAQEDONI
“ Shtëpitë botuese, disa shtëpi, sidomos Logos-A, kanë dhuruar libra nëpër shkolla. Kështuqë kjo do të jetë më mirë nëpërmjet LASH, sepse ne I posedojmë të gjitha adresat e shkollave, kështuqë e kemi dhe shtëpia botuese Logos-A që do t’I shpërndan këto libra, I ka marrë adresat e gati të gjitha shkollave në Maqedoni. “
Për shkak të madhësisë së projektit, projekti do të fillon nga 7 Marsi dhe do të përfundon deri në fund të muajit mars.
https://youtu.be/O_faWIlsYjs