Kuvendi i Maqedonisë, i cili zgjedh anëtarët e Këshillit të Prokurorëve, nuk do të ndërmarrë asgjë kundër kryetarit të Këshillit të prokurorëve Kole Shterjev dhe anëtarës së Këshillit Fidanka Rajevski për përfshirjen e tyre në konflikt interesi. Anëtarët e Këshillit të Prokurorëve Publik i zgjedh Kuvendi i Maqedonisë dhe i njëjti mund t’i shkarkojë në raste kur ata keqpërdorin detyrën zyrtare.
Shkarkimin e Shterjevit dhe të Rajevskës javën që shkoi e ka kërkuar vetë ambasadori amerikan Xhes Bejli, i cili votimin e kryetarit të Këshillit të Prokurorëve, Shterjev për zgjedhjen e mbesës së tij, Marija Gjorgeva në Prokurorinë për ndjekjen e krimit të organizuar, e ka cilësuar si rast tipik të konflikt interesi dhe për këtë ai duhet të mbajë përgjegjësi. Përveç këtij rasti, Bejli ka denoncuar edhe konfliktin tjetër të interesit nga anëtarja Këshillit të Prokurorëve, Fidanka Rajevska, e cila ka votuar për vazhdimin e mandatit të prokurores Lidija Raiçeviq, e cila njëkohësisht heton bashkëshortin e Rajevskës, Ljube Rajevski, njëri nga drejtorët e NLB Bankës, për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe larje parash.
Ka kaluar një javë kur ambasadori Bejli ftoi institucionet të shkarkojnë Shterjevin dhe Rajevskën për sjelljen e tyre joprofesionale, ndërsa pwrgjigje se si e komentojnë këtë deklaratë, na dhanë vetëm nga Lidhja socialdemokrate, ndërsa nga Bashkimi Demokratik për Integrim heshtin.
“Në këtë moment nuk kemi koment rreth deklaratës së ambasadorit Bejli, sepse ende nuk kemi diskutuar për këtë temë në kuadër të grupit parlamentare. Më shqetësim e ndoqëm deklaratën e ambasadorit amerikan dhe shpresojmë se institucionet kompetente në kuadër të kornizave ligjore që kanë të bëjnë me parandalimin e konfliktit të interest do të veprojnë. Qëndrimi ynë është i bazuar në rregulloren, normat ligjore dhe kushtetuese që do të thotë ndryshe respektim maksimal i shteti të së drejtës”- tha kordinatori i LSDM-së, Tomisllav Tuntev.
Nga Këshilli i Prokurorëve Publik, thanë për Almakos se nuk kanë planifikuar ndonjë mbledhje ku do të diskutonin për këtë çështje, duke shtuar se nëse do ketë opinion do të informohet në kohë.
Javën e kaluar nga ky këshill jo zyrtarisht thanë se votimi është bërë në përputhje me Ligjin për Këshill të Prokurorëve Publik dhe duke respektuar Kushtetutën e Maqedonisë dhe se nuk ka asnjë shkelje, duke demantuar kështu ambasadorin amerikan në Shkup.
Përgatiti: Evi Shkopi
Montimi: Evi Shkopi
Kameraman: Dejan Nedelkovski
Almakos.com