Nuk do mend se sistemi gjyqësor në Maqedoni është një nga organet shtetërore nga ku fillon padrejtësia ndaj shoqërisë sonë. Ndonëse, aty duhet të vendoset për drejtësi, në shumë raste gjykatat e prokuroritë janë vetëm dora e hekurt, ku vendoset padrejtësia e madhe, rrjedhimisht më pas edhe burojnë të këqijat që prodhon ky sistem i degjeneruar.
Kemi raste e raste, kur në emër të drejtësisë, shumë individë janë dënuar pa fakte e argumente për veprat e pabëra, vetëm se ashtu mendonin se do të duhej të mbulohej ndonjë skandal i madh politik, që kishte ndodhur ndërkohë. Por, gjykatësit me mendësi komuniste të kohëve tona, të mbështetur nga politika duket se një gjë e harrojnë: gjeneratat e sotme rriten në një frymë tjetër, e jo në atë të stereotipeve dhe paragjykimeve boshe, ku ndarja bëhej në baza të ndryshme. Pra, tashmë kemi të bëjmë me një gjeneratë që nuk toleron padrejtësi.
Sigurisht, për kapjen e gjyqësisë një nga indikatorët kryesor është politika. Politikanët në përgjithësi flasin në të shumtën e rasteve se si duhet të lihet e lirë gjyqësia e prokurira, ndërsa derisa ata thonë kështu, mendjen e kanë se si t’i shtrinë duart e tyre edhe më thellë në sistemin e drejtësisë, e sidomos qeveritarët. Dhe kjo është dëshmuar në vepër në disa raste, pra se si politika e kontrollon gjyqësinë.
Rasti i Almirit të vogël është një nga ngjarjet e shumta, ku me figurë shihet se çfarë ndodhi me jetën e vogëlushit, ndërsa tashmë prokuroria e gjykata përgatitet për rikulifikim të rastit prej “vrasje me dashje” në “aksident rasti”. Kjo thjesht do të thotë një vrasje e dyfishtë, për të, për familjen, për të gjithë shoqërinë tonë. Ngase, nëse një gjë e tillë i ndodh kujt do qoft prej nesh, sistemi i (pa)drejtësisë dëshiron të na thotë se shumë kollaj, mund që vendimin ta marr ashtu si ti teket, pa pikë morali e përgjegjësie, që fajtorin ta shpall të pafajshëm, ose të pafajshmin me faj.
Megjithëkëtë, protestat për Almirin janë një ogur i mirë, se të paktën “ndërgjegjja njerëzore” te shumëkush nga ne është ende gjallë, dhe se në raste të tilla të gjithë bëhemi tok, për të mos lejuar padrejtësinë të na kalon para hundëve, e ne të bëhemi se nuk e shohim. Edhe pse duhet të jemi më këmbëngulës dhe me të zëshëm si shoqëri. Shiu i sotëm në protestën për “Drejtësi për Almirin”, vetëm se na përkujtoi në njëfarë forme se as lotët e gjithë kësaj bote nuk mund ta kthejnë më vogëlushin në jetë, mirëpo ne që të gjithë duhet të qëndrojmë fuqishëm përballë padrejtësive, me çka mbase do të arsyetojmë tek “almirët” e persekutuar nga padrejtësisa në emër të drejtësisë, se ne ndoshta një ditë do të arrijmë të kemi një gjyqësi e prokurori të shëndosh, e cila përfundimisht do të shërohet nga “budallakitë” dhe monstruozitetet e saj./Almakos
https://www.facebook.com/Almakos1/videos/2063411433699698/