Zgjidhje e problemit me eksportin e miellit nga Serbia në Maqedoni, pritet nga takimi i sotëm i ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Lupço Nikollovski dhe zëvendëskryeministrit serb dhe ministër i Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikimeve, Rasim Laiq në Shkup.
Problemi i cili deri më tani zakonisht është paraqitur në shtator, sivjet filloi shumë më herët, menjëherë pasi Qeveria e Maqedonisë e solli Rregulloren e re për importin e miellit në vend. Rregullorja hyri në fuqi më 8 shkurt, ndërsa parasheh pulla për kontroll të miellit të vendosen pas importimit të dërgesave dhe kontrollit të tyre, e jo para se të realizohet eksporti në Maqedoni.
Siç sqarojnë nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, është kryer vetëm harmonizim i rregullores aktuale që të garantohet siguri dhe cilësi e miellit të importuar, si dhe të garantohet se mielli do të lëshohet në shitje me pakicë pasi do të marrë pullë për kontroll.
“Me ndryshimet e Rregullores për pamjen, formën dhe përmbajtjen e kërkesës për dhënien e pullave të kontrollit për ta shënuar miellin, ndryshon vetëm orari i tërë procedurës për importin e miellit nga vendet e huaja. Risi është që pullat e kontrollit do të jepen pasi do të merren rezultatet nga analizat nga mostrat e marra për cilësinë dhe sigurinë e miellit të importuar”, sqarojnë nga MBPEU.
Në dispozitat e tjera nga Rregullorja nuk ka ndryshim, e as që do të ketë shpenzime shtesë financiare për importuesit.
“Me ndryshimet, importuesve iu garantohet procedurë e saktë e marrjes së pullave, më shpejtë dhe më lirë në krahasim me vitet paraprake. Në këtë drejtim, vitin e kaluar Qeveria solli vendim për ndryshime për vlerën e kompensimit për dhënien e pullave të kontrollit për miellin. Me këto ndryshime është zvogëluar kompensimi për dhënien e pullave të kontrollit prej 0,5 denarë në 0,2 denarë për paketimet prej një kilogram dhe prej 1,5 në 0,2 denarë për paketime prej 25 kilogramëve. Kjo ulje vlen edhe për miellin brenda vendit edhe për atë të importuar”, thonë nga MBPEU.
Sipas dy ministrave, në interes të ekonomive të dy vendeve është rrjedha e mallrave, njerëzve dhe shërbimeve të zhvillohet papengesa.
Për prodhuesit e Serbisë, Maqedonia paraqet tregun e tretë të eksportit, ku brenda vitit plasohen 30.000 deri 40.000 tonë miell.