Qendra për parandalim dhe trajtim të varësisë nga drogat sot e prezantoi veglën e internetit për vetëvlerësim të rrezikut nga përdorimi i drogave “draghelp.eu” (drughelp.eu), që shërben për detektimin e hershëm dhe intervenimin e shpejtë, me
qëllim që të përfshihen të rinjtë të cilët përdorin substanca, ndërsa të cilët deri tani nuk kanë kërkuar ndihmë nga programet e përhershme.
Mjekja Liljana Ignjatova, korrespondente e përhershme e grupit Pompidu pranë Këshillit të Evropës nga Maqedonia, potencoi se ata të cilët e shfrytëzojnë këtë vegël janë të sigurt dhe se të dhënat e tyre janë anonime dhe të sigurta.
Ajo sqaroi se kjo vegël nuk paraqet zëvendësim të trajtimit “ballë për ballë”, por kjo vegël është bërë për ata shfrytëzues të cilët përdorin substanca, por nuk kanë probleme serioze, përkatësisht”shfrytëzues të lehtë”.
“Rezultatet e testimeve të deritanishme në vegël tregojnë se, te 16 për qind e personave të testuar nuk ka rrezik nga varësia, derisa te 70 për qind e tyre është vërejtur përdorim i dëmshëm i drogës, që nuk do të thotë varësi, ndërsa 14 për qind e personave të testuar me siguri janë të varur nga droga”, sqaroi Ignjatova, duke theksuar se rezultatet e deritanishme kanë treguar se numri më i madh i personave të testuar përdorin kanabis.
Vegla për “draghelp.eu” është përpunuar me përkrahjen e grupit Pompidu pranë Këshillit të Evropës, ndërsa në të marrin pjesë disa vende, përkatësisht Maqedonia, Serbia, Greqia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe Rumania.